E Diel, 1 Nëntor 2026

Përveç ngjarjes në Mat, një grup tjetër i maskuar dhe me armë ka grabitur paratë e një pike karburanti në Vlorë

Rishfaqen maskat në akset rurale të Rrethit të Matit. Por një grup tjetër i pajisur me maska dhe kallashnikovë ka kryer një aksion “të suksesshëm” në Vlorë, duke rrëmbyer rreth 12 milionë lekë të vjetra. Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dy persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur pasagjerët që udhëtonin në furgonin-taksi me targa të Tiranës, i linjës Selishtë, Dibër-Tiranë. Por sipas dëshmitarëve, banda prej dy personash është treguar “fisnike” me gratë pasagjere, duke i lejuar të rihipin në furgon, pa u marrë asgjë, ndërkohë që burrat zbraznin xhepat. Burime nga policia e Dibrës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, mëngjesin e djeshëm, në fshatin Vig të Komunës Lis në Rrethin e Matit, vetëm rreth 15 km larg qytetit të Burrelit.
Po sipas këtyre burimeve mësohet se automjeti që ra pre e grabitjes me maska, është i njëjti që u sulmua gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar. Në të njëjtin vend, dy persona të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar automjetin, gjë që lë të dyshosh se kemi të bëjmë po me të njëjtët persona që vënë në shënjestër të tyre grabitjen e udhëtarëve të këtij furgoni. Ashtu si edhe në rastin e parë të grabitjes, pasi kanë mundur t’u plaçkitin ç’të mundin pasagjerëve, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë lokale, vlera e shumës së grabitur shkon në rreth 100 mijë lekë të reja, ndërkaq mësohet se sendet e vjedhura janë kryesisht celularë dhe lekë xhepi të udhëtarëve të furgonit.
Ndërkohë mësohet se policia po vazhdon hetimet për zbulimin e autorëve të maskuar, që për të dytën herë në po të njëjtin vend organizojnë pritë me maska, duke grabitur pasagjerët që udhëtojnë në linjën Selishtë-Tiranë. Deri në zbulimin e autorëve, për drejtuesin e furgonit, 44-vjeçarin Dervish Bodini, do të jetë e vështirë lëvizja në këtë aks rrugor, pasi udhëtarët janë frikësuar tashmë pas dy pritave që i janë bërë këtij automjeti.
Ndërkohë, në Rrethin e Vlorës, dy persona të maskuar dhe armatosur kanë grabitur një pikë tregtimi karburanti në hyrje të fshatit Babicë. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, kur grabitësit nën kërcënimin e armës kanë mundur të bllokojnë rojën dhe ta mbyllin atë në një dhomë. Më tej ata i janë drejtuar zyrës dhe kanë marrë prej andej kasafortën. Sipas deklarimeve, kasaforta kishte një sasi të konsiderueshme parash brenda saj. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për rreth 12 milionë lekë të vjetra.
Më pas dy grabitësit kanë mundur të largohen për në drejtim të paditur, ndërsa roja ka thirrur për ndihmë e më tej ka lajmërua policinë. Në bazë të deklarimeve të bëra në polici, roja ka treguar se dy anëtarët e bandës e kanë kërcënuar atë me armë automatike, por nuk kanë ushtruar dhunë mbi të. Ai deklaroi se nuk e dinte shumën e saktë të të hollave që ndodheshin në kasafortë në momentin e grabitjes, por sipas pronarëve të pikës së karburantit, mendohet të ketë qenë një shumë e konsiderueshme parash.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se mendohet se mund të jenë rreth 1.2 milionë lekë të reja, por për momentin ende nuk ka një variant zyrtar në lidhje me këtë çështje. Pas ekspertizës në vendin e ngjarjes, blutë kanë nisur hetimin. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e grabitësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›