E Diel, 1 Nëntor 2026

Manaj: Vetëm nëse është vizitë fetare

Qeveria e Kosovës do të lejojë vizitën e Presidentit serb, Boris Tadiç, në Kosovë, por vetëm si vizitë të karakterit fetar. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha dje se qeveria e ka marrë kërkesën nga zyra e përfaqësuesit të Bashkimit Europian dhe, pasi e ka shqyrtuar, ka marrë vendimin të lejojë vizitën, por me disa kushte. “Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita Presidentit të Serbisë”, tha Manaj. Presidenti serb ka njoftuar përfaqësuesit e BE-së se dëshiron të vizitojë Kosovën ditën e nesërme, kur edhe janë Krishtlindjet ortodokse. Tadiç ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009 dhe pati vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse.
Në Kosovë, Tadiç kishte hyrë pas një kërkese që i kishte bërë zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë.Këta të fundit patën tërhequr vërejtjen se nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›