E Diel, 1 Nëntor 2026

Riza Koçiraj, 28 vjeç, erdhi nga Italia për festa, por nuk mbërriti në shtëpi

Ka ardhur në Shqipëri për të kaluar Vitin e Ri, por  është zhduket pa gjurmë një 28-vjeçar nga Vlora. Riza Koçiraj, banor i fshatit Vllahinë jetonte prej 4 vjetësh e gjysmë në Torino të Italisë me vëllain e tij. Ai ka udhëtuar nga qytetit italian drejt vendlindjes së bashku me kunatin dhe më 28 dhjetor ka mbërritur në Fier, ku ka fjetur një natë, në shtëpinë e motrës së tij. Ai është nisur të nesërmen drejt Vlorës. Sipas dëshmisë së kunatit, 28-vjeçari ka faturuar një makinë për të transportuar disa sende në fshatin e lindjes, ndërsa në telefon të afërmeve u ka thënë se do të vonohej, pasi do të pinte një kafe me disa shokë.
Zhdukja
Pasi është vonuar, kunati i tij e ka marrë përsëri në telefon, por ai i ka thënë se do të kthehej, por po vonohej në një takim me ca shokë. Në orët e vona të 29 dhjetorit, kur familjarët kanë tentuar ta kontaktojnë përsëri, telefoni i tij ishte i fikur. Në orët e para të mëngjesit të 30 dhjetorit, kunati i Riza Koçirajt ka njoftuar policinë për zhdukjen. Policia ka nisur menjëherë hetimet, duke marrë në pyetje të afërmit, shokët dhe personat me të cilët mendohej se i riu mund të kishte pasur konflikte. Por edhe pse që nga ajo ditë ka kaluar një javë, policia nuk ka arritur të bjerë në gjurmët e të riut.
Paralelisht me uniformat blu, kërkimet po kryhen në mënyrë intensive edhe nga familjarët e Koçirajt. Njëri nga pesë vëllezërit e tij, Klodiani, është kthyer menjëherë nga Italia në Shqipëri, për të kërkuar vëllain. Ai ka kontaktuar me personat që mund ta kishin parë atë në ditët e fundit dhe ka arritur të gjejë një shofer autobusi të linjës Vlorë-Tiranë, i cili ka treguar se Riza Koçiraj ka qenë pasagjer në autobusin e tij dhe ka udhëtuar nga Fieri në drejtim të qytetit të Lushnjës. Por shoferi i autobusit thotë se nuk është i bindur nëse bëhet fjalë për këtë person, apo ndonjë tjetër, me tipare fizike të përafërta.
Hetimet
Nga ana tjetër, policia ka nisur analizimin e tabulatëve telefonikë të 28-vjeçarit, për të zbuluar personat e fundit me të cilët ai ka kontaktuar. Pas tetë ditësh, fati i të riut është ende mister, ndërsa policia ka arritur deri tani vetëm të përjashtojë pistën e një vrasjeje për grabitje, pasi Koçiraj kishte me vete vetëm 300 euro. Riza Koçiraj jetonte në Itali pa dokumente dhe sipas vëllait ishte njeri i qetë dhe punëtor dhe nuk kishte shfaqur asnjë lloj shqetësimi. Në momentin e zhdukjes ai mbante veshur një xhup të zi, pantallona xhins me ngjyrë blu të erret të markës “Replay”, atlete “Rebook” dhe një bluzë të zezë me mbishkrim të bardhë “G-Star”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›