E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i, Tadici dhe karrigia e Ban Kin Munit

Vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për misionin evropian EULEX, pati disa fitimtarë. Në radhë të parë fituan vetë BE-ja dhe SHBA-ja, të cilët përveç ftesës nga shqiptarët siguruan edhe miratimin e serbëve për shtrirjen pa kokëçarje të misionit të tyre në të gjithë Kosovën.

Fitoi Tadiçi, i cili frikshëm e me përkrahjen e Perëndimit po forcon pozitat e tij në skenën politike serbe. Edhe Ban Kin Muni fitoi. Sipas gjasave, ai do të sigurojë edhe një mandat tjetër për karrigen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Nga vendimi i Këshillit të Sigurimit, sidomos pas kundërshtimit të pranueshëm që u bënë disa pikave të planit të Banit, nuk kanë dalë të humbur as shqiptarët. Atë që nuk arritën ta bënin vetë, vendosjen e autoritetit të shtetit të ri në të gjithë territorin, duket se do ta arrijnë tani nëpërmjet misionit evropian EULEX.

Por, vendimi i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për misionin evropian EULEX, përkthyer ky me mesazhet që po ju përcjell ekipi i Tadiçit bashkëkombësve të vet për gjoja varrosjen e planit të Ahtisarit e rikthimin e Kosovës nën Serbi, kërkesës serbe për shfuqizimin e marrëveshjes së Kumanovës për zonën e sigurisë në kufi me Kosovën, si dhe dyshimi i bazuar i shqiptarëve se prania e EULEX-it nën OKB mund të përdoret nën rrogoz si rrugë për një ndarje të butë të Kosovës, rrezikon të riaktivizojë përsëri konfliktin e pazgjidhur përfundimisht, midis serbëve dhe shqiptarëve.

Nëse kësaj situate i shtojmë edhe përpjekjet e vazhdueshme serbe për shkeljen e Dejtonit e ndarjen e Bosnjës, dhunën e tyre në Preshevë, Medvegje e Bojanovc, tendencën e disa qarqeve maqedonase për ndarjen e Maqedonisë dhe përplasjet e kësaj të fundit me Greqinë, ky vendim i Këshillit të Sigurimit mund të frymëzojë qarqe të caktuara për një plan B, krijimin e shteteve mbi baza etnike, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin dhe sigurinë ne Ballkan. "Kjo sot mund të çojë drejt një situate ku gjëra shumë të këqija mund të ndodhin", do t‘i deklaronte radios "Evropa e Lirë" më datë 22.11.2008, Daniel Serwer, nga Instituti Amerikan i Paqes.

Në të vërtetë, misioni evropian EULEX është misioni më i madh dhe më i rëndësishëm i BE-së. Bashkimi në këtë mision edhe i rreth 100 policëve, gjykatësve dhe këshilltarëve ligjorë amerikanë e bën misionin EULEX shumë të rëndësishëm dhe për amerikanët. Marrëveshja për këtë mision është vlerësuar si marrëveshje historike e liderëve evropianë e amerikanë dhe paralajmërimi i një epoke të re të bashkëpunimit transatlantik.

Prandaj, si evropianët, ashtu edhe amerikanët, kërkonin garanci që misioni euroatllantik EULEX të jetë patjetër i suksesshëm. Dhe për këtë atyre ju duhej miratimi i palës serbe dhe i rusëve. Kjo ishte arsyeja e shtyrjes së instalimit të misionit që nga qershori, kur ju bë ftesa nga autoritetet kosovare dhe hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës e deri tani.

Për të siguruar miratimin serb dhe në mënyrë që plani të gëlltitej sa më lehtë e me sa më pak kundërshtime, jo vetëm prej tyre, por edhe prej rusëve, vendet e BE-së bënë dy kompromise me serbët, veprime këto që nga kosovarët u përkthyen si shitje e interesave të Kosovës. Fillimisht vendet e BE-së abstenuan në bllok gjatë procesit të votimit në OKB, lidhur me kërkesën serbe për të dërguar çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Dhe tani, së bashku me SHBA-në, këto vende pranuan planin serb, tashmë me autorësi të Ban Kin Munit për vënien e EULEX-it nën ombrellën e OKB-së. Kështu u sigurua prej tyre miratimi serb dhe ai rus për shtrirjen e misionit EULEX edhe në veri të Kosovës. Prandaj, vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit ishte, në radhë të parë, një fitore diplomatike për evropianët dhe amerikanët.

Vendimi në fjalë i shtoi shumë aksionet e Tadiçit në skenën politike serbe. Ai po e shfrytëzon mjaft mirë mbështetjen e Perëndimit. Tashmë ai është bërë një lider i padiskutueshëm në vendin e tij. Por, plani 6-pikësh serb nuk është nismë e ekipit të Tadiçit. Ai plan është hartuar në qeverinë e mëparshme serbe dhe është propozuar nga ministri i Koshtunicës për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, që në muajin mars 2008. Djegia e doganave në veri të Mitrovicës dhe pushtimi i gjykatës atje, janë pjesë e skenarit për të detyruar faktorin ndërkombëtar të pranonte këtë plan, i cili në vetvete shënonte legalizimin e një ndarjeje të butë të Kosovës.

Në thelb, plani i sotëm 6-pikësh, i marrë tani në konsideratë nga Perëndimi, është plani i Sllobodan Samarxhiçit. Vendet perëndimore në atë kohë refuzuan ta merrnin në konsideratë, pasi nuk donin t‘i jepnin kapital politik Koshtunicës në prag të zgjedhjeve. Këtë kapital Perëndimi po ia jep tani Tadiçit. Perëndimi po e mbështet Tadiçin në raport me Koshtunicën, njëlloj siç mbështeti dikur Koshtunicën në raport me Millosheviçin. Por, në përfundim Koshtunica shfrytëzoi përkrahjen e Perëndimit për të forcuar pushtetin e tij dhe në veprime nuk ndryshoi shumë nga Millosheviçi. Në fund, ai nuk harroi t‘ia "shpërblejë" Perëndimit mbështetjen që i dha, duke i djegur ambasadat e tyre. Edhe Tadiçi, pasi ta ndiej veten të sigurt brenda vendit, nuk do të vazhdojë gjatë ta mbajë të fshehur nacionalizmin e tij, sidomos kur të afrohen zgjedhjet e tjera dhe, përsëri, Perëndimit do t‘i duhet të kërkojë tjetër partner në Serbi.

Në këtë super lojë, roli kryesor i takonte Ban Kin Munit. Në Perëndim, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka ekzistuar frika se Ban Kin Muni mund t‘i ofrojë Rusisë koncesione thelbësore në raport me Kosovën. Këtë e ka paralajmëruar e përditshmja angleze "Times" më datë 11.4.2008. Duke cituar burime diplomatike, gazeta shkruan se Kremlini ka filluar të kërcënojë zotin Ban, kohë më parë kur e ka ndjerë se është në favor të pavarësisë së Kosovës.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund të bllokojë mandatin e dytë pesëvjeçar të zotit Ban Ki Mun, i cili fillon më 2012-ën. Ban Ki Muni ka qenë nën presionin rus për të emëruar një ndërmjetës të ri, me synimin për të ripërtërirë bisedimet midis serbëve dhe kosovarëve, siç këmbëngulte Moska, citonte gazeta "Times" në atë kohë. Dhe në të vërtetë, pak më vonë, Sekretari i Përgjithshëm emëroi italianin Lamberto Zannieri, i cili, më 31 korrik, pak pasi erdhi në krye të UNMIK-ut, doli me tezat për një autonomi të posaçme brenda policisë së Kosovës për policët serbë, autoritetin e doganës në Kosovën veriore në ngjashmëri me modelin e Hong-Kongut, ku një territor ka dy zona dogane. Diçka të tillë dhe për gjyqësorin etj. Autoritetet kosovare reaguan ashpër, duke i quajtur këto lajthitje të Zannieri-t, kur në të vërtetë ato ishin porosi të Banit.

Ban Ki Muni arriti të mbajë EULEX-in nën ombrellën e OKB-së, opsion i pranueshëm nga Moska dhe serbët. Ai arriti t‘i kthejë rusët në tavolinën e vendimmarrjes për Kosovën dhe t‘ju ushqejë atyre shpresën për të ripërtërirë bisedimet serbo-kosovare. Pas këtyre, ka shumë gjasa që Ban Ki Muni të arrijë të sigurojë edhe votën ruse për të mbajtur edhe për një mandat tjetër karrigen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke shënuar kështu një fitore personale.

Nga ky vendim i Këshillit të Sigurimit nuk kanë dalë të humbur as shqiptarët, sidomos pas përfshirjes në deklaratën përfundimtare edhe të planit të tyre 4-pikësh dhe ligjërimit në një farë mënyre të kundërshtimeve që ata bënë për planit 6-pikësh. Sipas nënkryetarit të Partisë Radikale, Dragan Todoroviç: "Me pranimin e raportit të Ban Ki Munit, Serbia në mënyrë të ndërmjetme e pranon pavarësinë e Kosovës".

Nëse qeveria kosovare do ta kishin shtrirë që në fillim autoritetin edhe në veri të Kosovës, as amerikanët dhe as evropianët nuk do ta kishin të nevojshme t‘u bënin koncesione serbëve dhe rusëve. Autoritetet kosovare, megjithëse u njohën me planin që në fund të muajit mars, e injoruan dhe nuk përgatitën asnjë strategji kundër tij, ndonëse zhvillimet në terren tregonin se gjithçka ishte skenarizuar në zbatim të tij.

Atë që nuk e bëri dot qeveria e Kosovës, vendosjen e rendit dhe të autoritetit të shtetit në veri të Kosovës, e ka marrë përsipër ta bëjë vetë EULEX-i. Duke vënë theksin në reformat në gjyqësor e siguri, EULEX-i do të jetë sektori kryesor evropian i sigurisë në Kosovë dhe do të luajë rol të rëndësishëm në përmbushjen e kushteve për integrimin euroatlantik të saj. Për këtë, siç theksoi dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, "Kosova shënoi një fitore të madhe. Vendosja e EULEX-it në Kosovë i shërben forcimit të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë në vend".

Përfundimisht, në kushtet e gjendjes aktuale në terren, ku pjesa veriore e Mitrovicës është krejtësisht jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës, ku autoriteti i shtetit nuk është shtrirë plotësisht edhe nëpër enklava të tjera të banuara nga serbët, gjetja e një kompromisi për shtrirjen e suksesshme në Kosovë të misionit evropian EULEX është zgjidhja më e pranueshme. Vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara garantoi pikërisht këtë. Por, bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të luajë rolin udhëheqës në Ballkan dhe për asnjë arsye nuk duhet të lejojë ndarjen e Kosovës. Përndryshe, ata vetë do të jenë nxitësit dhe përgjegjësit e rikthimit të mundësisë dhe të përpjekjeve të shqiptarëve për bashkimin në një shtet të vetëm në Ballkan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›