E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, mos e harroni Kinën

Me javë të tëra bota ka pritur me padurim fjalë nga ekipi tranzicional i Obamës për njerëzit të cilët do të kryesojnë administratën e ardhshme, sekretarët e ri të Shtetit, të Thesarit dhe përfaqësuesin e përgjithshëm ligjor. Por njëra nga pozitat kryesore në administratën e Obamës, me siguri nuk do të përmbushet me muaj të tërë dhe do të marrë pak vëmendje posti i ambasadorit të SHBA-së në Kinë. Kina është bërë çelës i kapërcimit të krizës së përkeqësuar ekonomike të Amerikës. Ambasadori amerikan në Pekin (në rregull, kjo është një metaforë për të gjithë ata zyrtarë, të cilët do ta menaxhojnë këtë marrëdhënie) do të duhet të sigurojë se Kina i sheh interesat e saj si të lidhura me ato të Amerikës. Ose përndryshe gjërat mund të shkojnë shumë, shumë keq. Gjithkush pajtohet tani se Uashingtoni duhet të paguajë rrugën e vet jashtë nga ky recesion, që të sigurohet se kjo nuk do të shndërrohet në një depresion. Ekonomistët në të majtën dhe të djathtën pajtohen se është i nevojshëm një stimul masiv fiskal dhe se tash për tash, ne nuk duhet të brengosemi për deficitin. Por për t‘i hequr këto deficite, të cilat mund të jenë diku prej 1 bilion dhe 1.5 bilionë dollarë, apo në mes 7 dhe 11 për qind të produktit vjetor, Amerika duhet të gjejë dikë që t‘ia blejë borxhin. Dhe i vetmi shtet, i cili i ka paratë për ta bërë këtë, është Kina. Në shtator, Pekini u bë kreditori më i madh i huaj i Amerikës, duke ia kaluar Japonisë, e cila tashmë nuk blen më polica të Thesarit. Në fakt, edhe pse Departamenti i Thesarit nuk mban shënime të atyre të cilët kanë aksione amerikane, është thjesht e sigurt se, duke mbajtur 10 për qind të tërë borxhit publik të SHBA-së, qeveria e Republikës Popullore të Kinës është bërë kreditori më i madh i Uashingtonit, i huaj apo vendas. Është bankieri i Amerikës. Por, a do të vazhdojnë kinezët ta luajnë këtë rol? Ata i kanë mjetet që të bëjnë kështu. Rezervat e shkëmbimeve të huaja të Kinës qëndrojnë në rreth 2 bilionë dollarë (krahasuar me 73 miliardë dollarët e Amerikës). Por, qeveria e Kinës është e brengosur se ekonomia e vet po ngadalësohet mprehtë, ngase amerikanët dhe evropianët kanë ndaluar së bleri eksportet kineze. Ajo shpreson që të ringjallë rritjen në Kinë (në nivele prej afro 6 apo 7 për qind në vend të 12 përqindëshit të vitit kaluar) me një program masiv të stimulimit për vete. Iniciativat shpenzuese, të cilat i lajmëroi Pekini para disa javëve, kanë një shumë totale prej afro 600 miliardë dollarësh, një 15 përqindësh i madh i prodhimit vjetor të Kinës. Duke pasur parasysh përqendrimin e saj që t‘i mbajë njerëzit të punësuar dhe të minimizojë grevat dhe protestat, Pekini nuk do të hezitojë që t‘i shtojë edhe miliarda të tjera kësaj pakete, nëse është nevoja. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni mjerisht ka nevojë që Pekini të vazhdojë e të blejë obligimet amerikane, në mënyrë që qeveria e SHBA-së të heqë dorë nga deficiti dhe të nisë stimulimin e vet fiskal. Në efekt, ne po kërkojmë nga Kina që të financojë njëkohësisht dy zgjerimet më të mëdha fiskale në historinë njerëzore, të veten dhe tonën. Natyrisht, prioriteti i Kinës do të jenë vetë qytetarët e saj. "Njerëzit shpesh thonë se Kina dhe Amerika janë barazisht të varura nga njëra-tjetra", thotë Joseph Stiglitz, fituesi i çmimit "Nobel" të vitit 2001 për Ekonomi. "Por kjo më nuk është e vërtetë. Kina ka dy mënyra që të mbajë ekonominë e saj duke u rritur. E para është të financojë konsumatorin amerikan. Por mënyra tjetër është të financojë vetë qytetarët e saj, të cilët vazhdimisht e më shumë janë në gjendje të konsumojnë në sasi mjaft të mëdha që të stimulojnë rritjen ekonomike në Kinë. Ata kanë opsione, ne nuk kemi. Në të vërtetë nuk ka ndonjë shtet tjetër i cili do të mund të financonte deficitin amerikan". Në librin e tij të ri e të mahnitshëm, "Ngritja e parasë", Niall Ferguson përshkruan lindjen e një shteti të ri pas Luftës së Ftohtë. Ai e quan Chimerica, e cila përmban një të dhjetën e sipërfaqes së tokës, një të katërtën e popullatës së saj dhe gjysmën e rritjes globale ekonomike në tetë vitet e fundit. "Për një kohë dukej si një martesë e bërë në parajsë", shkruan ai. "Chimericanët e Lindjes kursenin, chimericanët e Perëndimit shpenzonin". Ata të Lindjes patën rritje, këta të Perëndimit inflacion të ulët dhe rata të ulëta të interesit. Si Stiglitz, Ferguson beson se Kina i ka mundësitë e veta. "Ata definitivisht do të përpiqen që ta mbajnë harxhimin amerikan duke ecur, por nëse bëhet e qartë se kjo nuk është duke funksionuar, ata e kanë Planin e tyre B", më tregoi ai javën e kaluar. Plani B do të ishte të përqendrohen në rritjen e vetë konsumimit kinez me anë të shpenzimeve të qeverisë dhe duke e lehtësuar kreditin për njerëzit e tyre. "Pyetja e madhe sot", tha Ferguson, "është nëse Chimerica do të rrijë bashkë, apo do të ndahet për shkak të krizës. Nëse rri bashkë mund të shihet një rrugë jashtë pyllit. Nëse ndahet, thuaji lamtumirë globalizmit". Gjatë viteve të kaluara, vendosja më e vështirë dhe më e rëndësishme diplomatike pa dyshim ka qenë ai në Bagdad. Gjatë dekadës së ardhshme, detyra më e vështirë dhe më e rëndësishme si duket do të jetë në Pekin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›