E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: E paralajmëruam Indinë për tragjedinë

Një zyrtar i lartë i administratës "Bush", pa pranuar të identifikohej me emër para gazetarëve, bëri me dije dje se India ishte vënë prej kohësh në dijeni mbi një seri sulmesh terroriste, duke rënduar edhe më tej kritikat që po i drejtohen qeverisë indiane për mungesë të pafalshme vigjilence. Sipas zyrtarit anonim, Shërbimet Sekrete Amerikane kishin njoftuar që më parë analogët indianë për një grup terroristësh që po përgatitej të niste goditje në kryeqytetin financiar të këtij shteti.

Janë disa zyrtarët e lartë indianë që dhanë dorëheqjen menjëherë pas sulmeve të përgjakshme, të cilat shkaktuan të paktën 172 viktima të pafajshme, duke plagosur më shumë se 300 të tjerë. Vilasrao Deshmukh, ministri i parë i shtetit Maharashtra, ishte i fundmit autoritet i lartë që paraqiti dorëheqjen për shkak të indiferentizmit të treguar ndaj disa paralajmërimeve serioze për përgatitjen e një goditjeje të tmerrshme terroriste.

Zëvendësi i tij, RR Patil, gjithashtu dha dorëheqjen nën akuzat se nuk kishte pritur me seriozitet paralajmërimet që i paraprinë tragjedisë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe zyrtarë të lartë të shtetit indian, ndërkohë që media vendase po flet gjithnjë e më shumë për një aparat shtetëror, e veçanërisht për shërbime sigurie të paafta të garantojnë sigurinë e jetës së banorëve të tyre.

India i ka kërkuar Pakistanit dorëzimin e më shumë se 20 militantëve, të cilët besohen se fshihen brenda kufirit të këtij shteti, ndërkohë që ekziston frika se marrëdhëniet mes dy shteteve mund të komprometohen rëndë pas sulmeve në Mumbai.

Ndërkaq, sipas një zyrtari të departamentit amerikan të Mbrojtjes, Pentagoni nuk sheh ndonjë shenjë që të tregojë se Pakistani po përgatitet të dërgojë trupa në rajonet e fiseve pranë kufirit me Afganistanin. "Nuk ka asnjë shenjë që të na vërë në dijeni se diçka po ndodh. Asgjë nuk ka ndodhur, apo nuk po planifikohet të ndodhë në atë zonë", tha zyrtari për agjencinë e lajmeve "Reuters". "Gjërat shkojnë si zakonisht".

Zërat që fajësojnë paaftësinë e shtetit indian për të siguruar jetët e qytetarëve, po vijnë duke u shtuar. Një oficer i forcës së komandove që ndërhyri duke i dhënë fund tragjedisë, tha për britaniken "Guardian" se njësia e tij ishte vonuar gjatë për të ndërhyrë në hotel, pasi për shkak të rrëmujës nuk gjendej një avion për t‘i transportuar deri në Mumbai. Majori Vikram Sing, i Gardës Kombëtare, tha se njësia e tij me shtab në Delhi, u vonua 10 orë për të mbërritur në Mumbai. "Macet e Zeza", siç njihen këto forca speciale, u brohoritën nga gjithë populli, pasi i dhanë fund tragjedisë, por shfrimi i zemërimit të një prej oficerëve ndaj ngathtësisë së shtetit është shenjë e qartë e mërisë që kanë shkaktuar zyrtarët shtetërorë në popull me mungesën totale të veprimit.

Sing, i cili i bëri deklaratat në një prej hoteleve të sapospastruara nga terroristët, tha: "Na u deshën dhjetë orë për të mbërritur nga Delhi. Fillimisht askush nuk ishte në gjendje të kuptonte nivelin e rrezikut". Një shenjë kuptimplotë e zemërimit ndaj zyrtarëve shtetërorë ishte rasti i një politikani të lartë, të cilit iu mohua pjesëmarrja në funeralin e një komandoje të vrarë nga i ati i ushtarakut të vrarë gjatë shpëtimit të pengjeve.

Por, përtej fajësimeve, dje u lexuan shenja se numri i viktimave në hotelin "Taxh Mahal" mund të ishte më i ulët nga sa mendohej fillimisht. Deri dje ishin zbuluar 23 trupa, 12 indianë e 4 të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›