E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i, Çeku kundër planit 6 pikësh të OKB-së

 

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku është shprehur i prerë kundër planit prej gjashtë pikash për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Sipas tij, Prishtina nuk mund të pranojë asnjë plan tjetër, përveç atij të Marti Ahtisarit. Kryetari i PSDK-se tha se Serbia, me përpjekjet e saj, kërkon të tregojë se ka ende sovranitet mbi Kosovën. “Ne kërkojmë që ky plan të shpallet joekzistent dhe të ndërpriten bisedimet rreth këtij plani”, tha Çeku. Në një dalje për mediat, Çeku ka theksuar se partia e tij kërkon nga institucionet kosovare të mos zhvillojnë bisedime rreth planit. Kështu, qeveria e Prishtinës ka rikonfirmuar edhe një herë përkushtimin e saj të palëkundur për zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari në tërësinë e tij dhe në tërë territorin e Kosovës. Analistë në Prishtinë ndërkaq e vlerësuan si të drejtë qëndrimin e autoriteteve të Kosovës, të cilët kanë kundërshtuar planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për ristrukturimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.
Ndërkaq, sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, është shprehur për BBC-në se pa zgjidhjen e planit gjashtë pikësh të OKB-së nuk mund të ketë zgjidhje për EULEX-in. Ai tha se është e përjashtuar mundësia e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë në fillim të dhjetorit, pa kaluar kjo çështje përmes KS të OKB-së. Ivanoviç, tha se plani Ahtisari është i vdekur dhe nuk luan ndonjë rol, prandaj sipas tij, për përfaqësuesit e EULEX-it do të jetë shumë e lehtë që të heqin dorë nga ky plan. Ai tha se Beogradi zyrtar nuk do të heqë dorë nga kërkesat e tij, për neutralitetin e misionit të EULEX-it, për miratimin e tij përmes KS të OKB-së dhe për heqjen dorë nga plani Ahtisari, si dhe shtoi se rreth çështjeve thelbësore nuk mund të ketë marrëveshje dhe nuk ka hapësirë për manovrim. Sipas tij, Serbia duhet të pyetet për territorin e saj. Një plan gjashtë pikësh i OKB-së i harmonizuar me Beogradin zyrtar, është kundërshtuar nga autoritetet kosovare, me arsyetimin se shkel Kushtetutën e Kosovës dhe cenon tërësinë tokësore të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›