E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja me armë, viktimat dhe autorët bashkë në gjykatë

 

TIRANE – Shtatë të rinj, në hasmëri me njëri–tjetrin pas një përplasje me armë mes tyre, do të ulen së bashku në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës pohojnë se çështja në ngarkim të vëllezërve Arjan e Elvis Doçi; Bojken e Ergys Kaso; si dhe Aglind Bejko, Armando Kashari e Dario Baruti është regjistruar në sekretarinë e gjykatës më 14 korrik 2009 dhe mban numrin 1623. Ndaj të akuzuarve rëndojnë akuzat e “moskallëzimit të krimit”, “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Të rinjtë akuzohen se janë protagonistë të një ngjarjeje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 10 prillit të këtij viti në rrugën “Vasil Shanto” në kryeqytet. Sipas policisë, atëherë u vunë në pranga Armand Kashari, 20 vjeç, i arrestuar për “kanosje”, “prishje të qetësisë publike” dhe “armëmbajtje pa leje”, Ergys Kaso, 27 vjeç, Bojken Kaso, 23 vjeç, Eglind Bejko, 22 vjeç, dhe Dario Baruti, 22 vjeç, të arrestuar për “moskallëzim krimi”. Nga të dhënat hetimore mësohet se arrestimi i tyre u krye sepse rreth orës 22.00 të 10 prillit, në rrugën “Vasil Shanto”, pranë hyrjes së një pallati, Armand Kashari dhe Dario Baruti, pas një sherri banal në bilardo kanë goditur me grushte Arjan Doçin, 23 vjeç. Ky i fundit ka njoftuar më pas për këtë konflikt vëllain e tij Elvis Doçi, 31 vjeç, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me pistoletë kundrejt Armand Kasharit, Ergys Kasos, Bojken Kasos, Eglind Bejkos dhe Dario Barutit. Për pasojë të këtij konflikti me armë është plagosur në pjesën e këmbës një 23 vjeçare, inicialet e të cilës janë D.S., e cila ndodhej rastësisht në vendngjarje. Policia tha atëherë se 23-vjeçarja ka marrë ndihmën e parë në spital, pas të cilës gjendja e saj shëndetësore u përmirësua. Por, pas këtij konflikti, Armand Kashari ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një automatik, duke qëlluar disa herë në drejtim të dy vëllezërve Arjan dhe Elvis Doçi, të cilët duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, u kanë shpëtuar mrekullisht plumbave. Menjëherë pas ngjarjes policia pohoi atëherë se në lidhje me autorët e dyshuar, Arjan dhe Elvis Doçi, të identifikuar, u punua për kapjen e tyre nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit të bluve të Tiranës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›