E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX i pafuqishëm të zbatojë ligjin në Kosovë, “amniston” institucionet paralele serbe

04-07-2011 / Gazeta 55

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, gjatë veprimtarisë së deritanishme në Kosovë nuk ka hezituar që të zbatojë kompetencat e tij ekzekutive ndaj institucioneve legale të vendit, ndërkohë që ka “amnistuar” institucionet paralele të Serbisë, që veprojnë në veri dhe në jug të lumit Ibër.
Koha Ditore shkruan se ndërsa prokurorët e EULEX-it në kuadër të hetimeve të veprave penale kanë bastisur institucione të niveleve të ndryshme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ministritë e komunat, ata nuk janë parë të kenë vepruar ngjashëm edhe me institucionet paralele serbe, që haptas sfidojnë rendin juridik, atë politik e sigurinë në Kosovë.
Edhe pse zyrtarët e misionit të BE-së, të Qeverisë së Kosovës e madje edhe të Qeverisë së Serbisë bien dakort me faktin se EULEX-i ka mandat të plotë për hetimin, por edhe për bastisjen e institucioneve paralele serbe, deri më tani hetuesit evropianë nuk e kanë ndërmarrë ndonjë veprim të këtij lloji.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Haëton, ka bërë të ditur se ky mision ka mandat të plotë për zbatimin e ligjit dhe se fillimi i çfarëdo hetimi varet nga vlerësimi i prokurorëve. “EULEX-i ka mandat të hetojë të gjitha krimet serioze, nëse prokurori e sheh të arsyeshme për të nisur hetim”- ka thënë ai.
Sipas tij, prokurorët dhe hetuesit e EULEX-it fillojnë hetimet kur ka dëshmi të bazuara apo padi nga palët dhe përmes hetimeve paraprake vërtetohet nëse ka dëshmi të mjaftueshme për të filluar hetimin zyrtar. Ai nuk ka saktësuar nëse deri më tani është filluar ndonjë procedurë e ngjashme penale edhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve paralele serbe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›