Heqja e mandatit të deputetit Ilir Beqja, Kushtetuesja zbardh vendimin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin me të cilin i hoqi mandatin deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqja. Sipas vendimit të gjykatës Kushtetuese, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, nuk duhet dhe nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore apo fitimprurëse me përjashtim të të qënit anëtar i Këshillit të Ministrave.
Sipas Kushtetueses, çdo veprimtari tjetër shtetërore apo private bie ndesh dhe është në konflikt me mandatin e deputetit.
Heqja e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste të qarkut të Shkodrës u kërkua nga një grup deputetesh të PD- së të cilët duke iu referuar nenit 70 pikës 3 të Kushtetutes argumentuan se një deputet nuk mund të përfitojë fonde publike. Sipas maxhorancës Beqja kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës, ndërsa kishte mandat që prej 1 gushtit 2009.
Sipas argumentave te paraqitura nga mazhoranca rezultoi se deputeti Ilir Beqja, pasi kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ, kishte përfituar nga Bashkia Durrës tenderin me 97.7% të vlerës së fondit limit dhe se vete Beqja në shoqërinë përfituese të tenderit në fjalë kishte qenë aksioner me 51% të aksioneve.