Berisha: Rritja e pagave dhe pensioneve, rezultat i reformave ekonomike

Rritja e pagave dhe pensioneve, nuk ka për të ndikuar aspak në defiçitin buxhetor.
Një fakt të tillë, kryeministri Berisha e deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, duke dhënë garanci të plotë për masën më të re të ndërmarrë nga qeveria shqiptare.
“Rritja do të bëhet duke shkurtuar shpenzimet e administratës”- tha ai, duke shpjeguar sesi do të realizohet kjo rritje dhe duke shtuar se “nuk do të ketë asnjë tejkalim të borxhit, apo tejkalim të inflacionit”. Kryeministri tha se, “natyrisht që ditët e krizës evropiane dhe kriza e thellë nuk është se nuk ka patur pasqyrimin e saj, por modeli ynë ekonomik, ka qenë një model suksesi që e ka superuar atë”. Duke shtuar më tej, se është fakt që në 4 vite, të ardhurat buxhetore thuajse janë dyfishuar, ndërsa në 6 vite, eksportet janë trefishuar.
“Dhe e gjitha kjo, sepse kemi patur reforma të drejta dhe të ndershme ekonomike, të cilat kanë bërë që ekonomia shqiptare të funksionojë”- sqaroi kreu i qeverisë.
Duke përfunduar se kjo rritje e të ardhurave është shoqëruar me një ulje të taksave për biznesin, çka ka bërë që ato të shtohen më shumë.
“Investimet e huaja janë rritur, në një kohë që papunësia ka rënë. Ekonomia shqiptare është më e hapura ndaj asaj të Bashkimit Evropian. Dhe thënia se Shqipërinë e pret kriza greke, është një keqdashje që e bën opozita”- përfundoi Berisha.