E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i përgatit akuza të reja për krimet e luftës

“Kjo nuk është e vërtetë, pyetni Yves de Kermabonin sa njerëz do t’i akuzojë EULEX-i për krime të luftës në një të ardhme të afërt. Kjo do të jetë një ndërmarrje e madhe", ka thënë Feith, duke shtuar se dëshiron të shohë “të përgjigjen për veprimet e këqija madje sa më parë edhe kriminelët nga UÇK-ja”.

Feith ka thënë se është i bindur se të gjithëve që kanë bërë krime ndaj serbëve pas ardhjes së KFOR-it do të gjykohen para gjykatave kosovare.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe këtë ia përsëris autoriteteve çdo ditë. Do të dëshiroja të shoh, e jam i sigurt se edhe Yves de Kermabon e dëshiron të njëjtën. Kjo është e vështirë, nevojitet shumë kohë për hetime dhe ngritje të akuzës. Të jem i sinqertë, në shoqërinë shqiptare, e cila është mjaft e mistershme, është e vështirë të gjenden dëshmitarët”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi ndërkombëtar tha se integrimi i veriut të Kosovë në institucione nën kontrollin e Prishtinës do të varet nga ajo se a e pranojnë këtë serbët e Kosovës apo jo. Në një intervistë dhënë RTS-së, Feith shtoi se plani (strategjia për veriun) nuk e ka mbështetjen formale të Brukselit dhe hodhi poshtë akuzat se me zbatimin e tij rrezikohet stabiliteti i rajonit.

“Qëllimi është të depërtojmë deri te qytetarët, të përpiqemi të gjejmë njerëz të cilët do të jenë përfaqësues të popullit nga veriu, dhe të kuptojmë se çka ata në të vërtetë dëshirojnë. Për këtë është i nevojshëm një debat publik, pasi deri tash nuk është dëgjuar zëri i popullit, por vetëm i kujdestarëve të dyshimtë”, tha ai duke menduar në Milan Ivanovicin dhe Marko Jaksicin. “Unë dua që populli në pjesën veriore të shprehet për ardhmërinë e vet, dhe kjo është e tëra”, tha ai. /Koha/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›