E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, situata nën kontroll

Në disa zona ka shenja përmirësimi në uljen e nivelit të ujit në sipërfaqen e tokave, disa prej të cilave janë liruar nga përmbytja.

Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu bën të ditur se, 25 ushtarë me 2 varka dhe një mjet vetëshkarkues po punojnë intensivisht në përforcimin e argjinaturës me thasë rëre dhe largimin e ujit nga fshati Darragjat. Ai shtoi se forca të ushtrisë me mjetet përkatëse janë të pranishme dhe në fshatin Cas në komunën Velipojë dhe në Ashtë në komunën Bushat.

Sipas Cungut, deri tani llogariten rreth 5.500 ha tokë dhe 108 shtëpi të përmbytura, kryesisht në komunat Dajç, Bregu i Bunës, Velipojë, Ana e Malit, Bushat, Guri i Zi, Berdicë dhe në lagjet periferike të Shkodrës.

“Problematike mbeten rrugët e fshatrave Obot dhe Goricë në komunën Ana e Malit, hyrja e rrugës kryesore të komunës Dajç dhe pjesa e aksit rrugor drejt Velipojës, pas Urës së Ded Gjo Lulit, të cilat janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta” bëri të ditur Cungu.

Ndërkohë, ka nisur furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit, disa fshatrave të komunës Dajç, në Malin e Jushit, në Bushat dhe një pjese të komunës Velipojë. Rajoni i Shkodrës sot është përfshirë nga moti i thatë dhe me diell.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›