E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i zbulon gjurmë të një varreze masive në Malishevë



Zyrtarë të misionit EULEX kanë zbuluar gjurmë të një varreze masive në rajonin e Malishevës në Kosovë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave megjithëse ky rast është shumë i ndjeshëm, ekspertët po punojnë në zbulimin e plotë të tij. Ekspertë të EULEX-it, mjekësisë ligjore, kanë gjetur gjurmë të një varreze masive në zonën e Malishevës, por kanë thënë se ende është shumë herët të japin informacione të tjera për këtë çështje. Ata kanë thënë se duhet të priten rezultatet dhe se ekspertët po punojnë për këtë rast. “Nuk mund të japim afate kohore sepse çështja është shumë komplekse dhe njëherazi shumë e ndjeshme. Për këtë nuk mund të japim informacione të tjera rreth rastit”,- kanë thënë zyrtarë të EULEX-it. Në procedimin e mëtejshëm të këtij rasti është përfshirë edhe Zyra për Persona të Zhdukur.

Zgjedhjet lokale, Beogradi kundër pjesëmarrjes së serbëve

Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, shpreh mendimin se Beogradi zyrtar nuk mendon se ekzistojnë kushtet për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale. Këtë qëndrim mban edhe Qeveria e Serbisë si dhe presindenti Boris Tadiç. Është shumë e sigurt se Beogradi zyrtar nuk do të hapë dritën e gjelbër për pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces, megjithatë nuk do të kundërshtojë askënd që do të marr pjesë. Sipas Bogdanoviç, kjo është diçka që vetë qytetarët, pra serbët dhe joshqiptarët do ta vendosin vetë. Në një intervistë, Bogdanoviç tha se Beogradi zyrtar nuk do ta pranojë kurrë shtetin e Kosovës. Ministri serb tha se nuk është reale që të pritet nënshkrimi i protokolleve për gjyqësinë e doganat me EULEX-in brenda këtij viti, pasi sipas tij nuk janë përafruar qëndrimet. Ai tha se ka shumë probleme për të cilat duhet negociuar.

Bosnjë
Nga përleshja me tifozët kroatë, 1 i vdekur

Përleshje mes tifozëve boshnjakë dhe kroatë në qytetin Shiroki Brijeg, në pjesën jugore të Bosnjës që ka përfunduar me vdekjen e një personi. Mediat vendase informojnë se përleshjet u zhvilluan para fillimit të ndeshjes kundër klubit “Sarajeva”, e vlefshme për ligën e parë. Ndeshja është anuluar ndërsa zëdhënësi i policisë, Damir Çutura, i cili tha se një person ka mbetur i vdekur. Radioja publike e Bosnjës njoftoi se viktima ishte tifoz i klubit “Sarajeva”. Tifozët kanë vërshuar në qytet dhe i kanë vënë zjarrin disa automjeteve.

Maqedoni
Qeveria kërkon dorëheqjen e përgjegjësve të Enciklopedisë Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Shefik Duraku deklaroi se qeveria e Maqedonisë kërkon përgjegjësi nga anëtarët e redaksisë së “Enciklopedisë maqedonase”. Duraku tha se për arsye morale, Qeveria pret që kryeredaktori i “Enciklopedisë” Bllazhe Ristevski të japë dorëheqjen. “Është e logjikshme që pas një incidenti të tillë dikush të mbajë përgjegjësi. Ne si Qeveri presim që minimumi që mund të bëhet në këtë rast, do të ishte dorëheqja e akademikut Bllazhe Ristevski”,- ka thënë Duraku.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›