Inva Mula dhe Pirro Çako nuk bien dakord për kujdestarinë e djalit
Laureta Rryçi
Një psikologe do të vendosë se më kë do të qëndrojë djali i çiftit të njohur Mula dhe Çako. Sopranoja me kantautorin e njohur megjithë ditët në dispozicion nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët. Kësisoj gjyqtarja Elona Gjoka para se të marrë një vendim përfundimtar ka vendosur të dëgjojë një psikologe për të marrë një mendim më të specializuar. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pohuan se gjatë seancës herë pas herë ka pasur debate mes avokatëve mbrojtës. Avokatja e Pirro Çakos duket se nuk ka qenë dakord që një psikologe të vlerësojë kushtet financiare, emocionale që kanë çifti i njohur për t’i ofruar djalit të vetëm në 20 vite martese.
Seanca
Meqë nuk kanë rënë dakord, një psikologe do të jetë “mysafire” e paftuar jo vetëm në shtëpinë e Inva Mulës por edhe në atë të Pirro Çakos. Gjatë seancës së djeshme, avokatët që përfaqësojnë çiftin që është në prag të divorcit i kanë bërë me dije gjyqtares se pavarësisht se kishin pasur 20 ditë kohë sërish nuk kishin marrë një vendim. Për arsye të ndryshme duket se as Mula dhe as Çako nuk lëshon pe ndaj kujdestarisë së djalit të vetëm. Përballë kësaj situate gjyqtares i duhet të vendosë vetë se cili prind do të ishte zgjidhja më e mirë për djalin. Psikologia me vendim gjykate do të takojë disa herë edhe Inva Mulën edhe Pirro Çakon. Do të shikojë rrethin miqësor që kanë ata në jetën e përditshme, aktivitetin ditor si dhe kushtet ekonomike. Mësohet se këto të fundit janë një nga pikat kyçe që ndikojnë në dhënien e kujdestarisë pasi mendohet për mirëqenien e fëmijës. Psikologia do të bisedojë edhe me djalin për të parë gjendjen emocionale të tij se me kë dëshiron dhe ndihet më mirë ai që të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke hequr dorë kështu nga qëndrimi me prindin tjetër.
Procesi
Çifti i njohur prej vitesh jetonte larg njëri-tjetrit. Në prill të këtij viti ka qenë sopranoja që ka marrë nismën ligjore që kjo ndarje tashmë të kthehej në një divorc zyrtar mes tyre. Për Inva Mulën divorci ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e momentit për shkak se ata kishin vite që jetonin në largësi. Ajo me të birin jetonin në shtëpinë e tyre në Paris, ndërsa Pirro në kryeqytetin shqiptar dhe ishte i angazhuar me karrierën e tij artistike. Kjo arsye nuk është pranuar nga kantautori si e vlefshme për të kërkuar divorcin. Ai, nëpërmjet avokatit, i ka kërkuar që të tregojë arsyet e vërteta që ajo po kërkon divorcin. Aktualisht procesi ka mbërritur në fazën e kujdestarisë së fëmijës, vendim që do të jepet në seancat e radhës në Gjykatën e Faktit.
6 Tetor 2009