E Diel, 1 Nëntor 2026

RENEA arreston Besnik Vishën, kërkohej prej 12 vitesh për vrasje



Është vënë në pranga një ndër personat më të kërkuar në Shqipëri, ish-polici që akuzohet për vrasje, Besnik Visha. Operacioni u realizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me forcat RENEA. Pas dy orë negociatash ata kanë arritur na bindin Vishën të dorëzohet, ndërkohë që ishte i rrethuar brenda në banesë nga forcat të shumta policie. Visha u kap në fshatin e tij Zgur të Zallbastarit. Burimet policore thanë se ai qëndronte në shtëpi me bashkëshorten kur u rrethua nga të katër anët me policë. Visha akuzohet se ka vrarë në vitin 1997 shtetasin Refik Domi. Disa operacione për kapjen e tij gjatë këtyre viteve kanë dështuar. “Në momentin e arrestimit, të sipër cituarit ju gjendën dhe ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një krëhër me fishekë. Theksojmë se, ky person është ndjekur me masa kërkimi që nga viti 2001 dhe për kapjen e tij, janë organizuar shumë operacione policore, të cilat kanë dështuar për shkak të terrenit të vështirë. Ky shtetas, ka lëvizur i armatosur në fshatra të ndryshme të Komunës Zall Bastar, duke rënduar situatën e rendit në këtë Komunë”, njoftonte dje policia e kryeqytetit.

Kërcënon prokurorin, arrestohet në sallën e gjyqit

Arrestohet në sallën e gjyqit një 33-vjeçar pasi kanosi prokurorin. Ngjarja ndodhi në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kur Bexhet Vogli 33-vjeçar është arrestuar pasi ka kanosur një prokuror. Ky i fundit sapo kishte mbaruar një seancë gjyqësore në ngarkim të dy të pandehurve Bexhet Vogli, ndaj të cilët Gjykata kishte vendosur masë sigurimi “Arrest shtëpie”, dhe Sali Vogli, që aktualisht ndodhet i arrestuar. Megjithëse trupi gjykues e nxori nga qelia 33-vjeçarin duke e lënë në arrest shtëpie, ai pretenduar pafajësi dhe për këtë nuk ka hezituar të kanosë prokurorin e çështjes. Mirëpo kjo i ka kushtuar atij rikthimin në qeli pasi akuzohet për veprën penale të “Kanosjes së Gjykatësit apo Prokurorit”.

Burg pa afat, për vrasësin e mjekut durrsak

Autori i vrasjes së mjekut radiolog, Fatmir Thaçi ka dalë dje në Gjykatën e Durrësit për të mësuar masën e sigurisë. Trupi gjykues ka vendosur masën e arrestit, “burg pa afat”, për 48- vjeçarin Ali Lorja, i cili akuzohet për vrasjen e tre ditëve më parë të mjekut Fatmir Thaçi, në ambientet e spitalit të Durrësit. Mësohet se Lorja ka dëgjuar me vëmendje vendimin e masës së sigurisë së trupit gjykues dhe nuk ka dhënë asnjë pretendim por gjatë gjithë kohës ka qëndruar i heshtur. Lorja akuzohet për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ai qëlloi me pistoletë disa herë në kokë mjekun radiolog Fatmir Thaçi në zyrën e këtij të fundit në Spitalin e Durrësit.

Pranga rojes së shkollës, dyshohet se favorizoi grabitësit
Vjedhja e një kompjuteri Laptop në ambientet e një shkolle 9 vjeçare në Vlorë, i ka kushtuar prangat rojës i cili nuk ka qenë në krye të detyrës në momentin e ngjarjes. Avdul Malaj 59-vjeç është arrestuar dje nga policia e Vlorës pasi rezultoi se nuk gjendej pranë shkollës “Ibrahim Kushta” ku ishte i punësuar për ruajtjen e saj gjatë 24 orëve kur u vodh një kompjuter. Burime nga policia thanë se autorët gjatë orëve të natës, duke përfituar nga mungesa e rojës së shkollës kanë shqyer një prej dritareve të katit të parë në anën e pasme dhe kanë hyrë brenda saj dhe më pas kanë shqyer edhe derën e zyrës së Drejtorit të kësaj shkolle duke marrë një kompjuter portabel të tipit- Laptop dhe një aparat celular dhe më pas janë larguar pa u vënë re nga njeri. Ndërkohë që ngjarja iu ngarkua rojës së shkollës i cili u arrestua për veprën penale të “Vjedhjes” dhe “Shpërdorimit të detyrës.

Policia” tmerron” shoferët, sekuestron 950 leje qarkullimi për 48 orë

Policia Rrugore e Tiranës brenda harkut kohor të tre ditëve ka pezulluar 950 leje qarkullimi, ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët nuk kanë paguar detyrimet e vendosura për kundravajtjet administrative të kryera prej tyre. Burimet zyrtare të drejtorisë së Policisë bëjnë me dijeni se gjatë fundjavës kanë ndërmarë kontrolle të vazhdueshme, duke bllokuar edhe 53 automjete. Pas shlyerjes së detyrimeve, 27 drejtuesve iu dhanë automjetet ndërsa 26 të tjera aktualisht ndodhet të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Sipas të dhënave që konfirmohen gjatë këtyre tre ditëve nga Posta Shqiptare janë arkëtuar gjithsej 2122 masa administrative. Policia e Tiranës shton ndërkaq se do të vazhdojë me intesitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.

Korçë, prangoset i kërkuari, pinte kafe në mes të qytetit
Forcat e policisë së Korçës kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e 24-vjeçarit Romeo Troka, lindur dhe banues në këtë qytet. Sipas burimeve policore, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 89 e 274 të Kodit Penal. Ky person është shpallur në kërkim në bazë të urdhrit të ekzekutimit të Gjykatës së Korçës, e cila e ka dënuar atë me 32 ditë burg. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

Vlorë, arrestohet eskavatoristi, mbante lëndë plasëse

Policia e Vlorës arrestoi dy ditë më parë një eskavatorist i cili mbante në ambjentet e tij private një përzierje të lëndës URE që kishte tiparet e lëndës eksplozive. “U bë ndalimi i shtetasit: Kristo Spiro Gjoka, 43 vjeç, lindur e banues në Himarë, me profesion punëtor eskavatoriste pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana jonë në oborrin e banesës së tij në Himarë iu gjeten dhe sekuestruan rreth 1.000 kg. lëndë kimike e llojit URE nga e cila një pjesë ishte e përzier me naftë e cila mund të shërbejë si lëndë plasëse. Materjalet proceduriale në ngarkim të këtij shtetasi iu kaluan për kompetencë Prokurorise së Rrethit Gjyqsor Vlorë, mbasi ka konsumuar elemente të vepres penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e monicionit” bazuar ne nenin 278 te Kodit Penal”, - njoftonte dje policia e këtij qyteti.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›