Pakistan, sulm vetëvrasës ndaj OKB-së, 4 persona të vdekur
Blerina Olldashi
Një shpërthim ka ndodhur në Pakistan ndaj ndërtesës së OKB-së, në kryeqytetin Islamabad ku kanë mbetur të vdekur katër persona. Lajmi bëhet i ditur nga forcat e rendit dhe sipas tyre, shpërthimi u regjistrua ne zyrat e ndërtesës se organizatës “Programi Botëror i Ushqimit”. Personi vetëvrasës që shkaktoi shpërthimin ishte veshur si anëtar i sigurimit dhe mbante 7 kilogramë eksploziv në trup. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka reaguar ashpër Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili e dënoi sulmin vetëvrasës kundër selisë së agjencisë për ushqim të OKB-së në Pakistan, duke e cilësuar atë si të “krim të tmerrshëm”. Sipas tij, masat e sigurisë duhet të jenë më të larta, kur bëhet fjalë për mekanizmat ndërkombëtare që synojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Kombet e Bashkuara mbyllën përkohësisht për shkaqe sigurie të gjitha përfaqësitë e tyre në Pakistan. Nuk dihet, kur do të hapen ato sërish, megjithatë situata në këtë vend duket e rëndë. Ministri i brendshëm, Rehman Malik ka fajësuar lëshimet në kuadër të forcave të sigurimit, të cilat nuk kanë arritur të vërejnë rrezikun. Ai tha se sulmuesi që mbante eksplozivin kishte kërkuar që të përdorte tualetin. Edhe pse askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, dyshimet çojnë në drejtim të Talibanit. Ministri Malik tha se sulmi kishte për qëllim të paralajmëronte qeverinë pakistaneze që të mos luftojë kundër militantëve, por ai shtoi se operacionet në rajonet Svat and Vaziristan do të vazhdojnë. Zyrtarët e Programit Botëror të Ushqimit ku ndodhi shpërthimi thanë se 3 pakistanezë dhe një irakian ishin mes të vdekurve. Ata thanë se pati edhe një numër të plagosurish, mes tyre disa në gjendje të rëndë. Shpërthimi ndodhi ndërsa Sekretari britanik i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes po zhvillonin një vizitë zyrtare në Islambad. Në axhendën e bisedimeve janë edhe masat kundër terrorizmit si dhe ankesat nga autoritetet pakistaneze rreth vonesave së dhënies së vizave britanike për shtetasit pakistanezë. Pakistani është një nga vendet me rrezikshmërinë më të lartë në botë dhe shpeshherë organizatat apo shtetasit e huaj vihen nën shënjestrën e organizatave të shumta terroriste që veprojnë në këtë vend të pasigurt. Në atentat mendohet se janë përdorur 7 kilogramë tritol, pasi shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe një pjesë e mirë e ndërtesës është shkatërruar.
6 Tetor 2009