Ndotja akustike, masa ndaj 41 lokaleve në kryeqytet
Ndotja akustike në kryeqytet është në nivele të larta, çka krijon probleme psikologjike dhe sociale tek personat që jetojnë në ambiente të tilla. Për këtë arsye, të paktën 41 lokale nate në Tiranë janë ndëshkuar me masa administrative, me gjobë dhe me pezullim të aktivitetit, për zhurmën e lartë që shkaktojnë dhe që përbën një problem shqetësues për qytetarët që banojnë pranë tyre. "Specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, kryen inspektime në lokalet e kryeqytetit që shkaktojnë ndotje akustike dhe prishin qetësinë publike pas orës 23.00. Ata vendosën masa me gjobë për 12 lokale në kryeqytet, nga 30 mijë deri në 50 mijë",- u shprehën burime nga Ministria e Mjedisit. Ndërsa, masa për pezullimin e kryerjes së aktivitetit deri në shlyerjen e gjobës u ndërmor për 29 lokale të tjerë. Ky inspektim u mbështetu edhe nga Policia e Shtetit dhe u shtri fundjavën e kaluar në të gjitha lokalet e kryeqytetit. Në këto lokale është ushtruar kontroll dhe më parë nga ARM, duke u lënë dhe detyrat përkatëse për uljen e nivelit të zhurmës dhe pajisjen me lejen mjedisore përkatëse. MMPAU bën të ditur se gjithashtu, ky operacion do të shtrihet në të gjithë qytetet e vendit. Aksioni u ndërmor në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, qëllimi i të cilit është mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe të mjedisit nga zhurmat, duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre (përfshirë dhe bezdinë nga zhurma). Nga studimet që kanë bërë autoritetet shëndetësore në vendin tonë, ndotja akustike në qytetet e mëdha të vendit është në nivele të larta, ndryshe nga normat e përcaktuara nga BE-ja. Kjo vihet re në zonat e populluara, ku ka mjaft lokale nate apo ku kryhen ndërtime.
Bashkia e Tiranës, proceset gjyqësore të ndjekura
Bashkia e Tiranës bën të ditur statistikat për muajin Janar - Gusht 2009 në lidhje me proceset gjyqësore të ndjekura nga juristët e Drejtorisë Juridike. Sipas Bashkisë, në lidhje me proceset gjyqësore, janë ndjekur 391 procese gjyqësore. Nga këto procese 76 çështje janë përfunduar, dhe 315 janë ende në vazhdim. Gjyqet e hapura nga qytetarët janë për arsye të ndryshme, si, 15 % e gjyqeve janë me objekt shpërblimin e dëmit si rrjedhojë e veprimeve të kryera nga strukturat e Bashkisë së Tiranës ( shpronësime, prokurime, vendosje gjobash etj). Njëkohësisht, 16 % e gjyqeve të hapura janë me kërkesë për njohjen si pronar të objekteve/trojeve në përdorim të qytetarëve, saktësimin e sipërfaqes së truallit. Gjyqe me objekt detyrim për vazhdimin e procedurash 4.5%, gjyqe me objekt pushim cenim pronësie 13.5%, gjyqe me objekt detyrim për zbatim akt-marrëveshje dhe privatizim banesash 6%, gjyqe me objekt detyrim zbatim kontrate 4% etj.
Zyhdi Dajti, kreu i ri i Policisë Bashkiake
Emërohet kreu i ri i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zyhdi Dajti. Dajti është kreu i ri i Policisë Bashkiake, duke zëvendësuar në këtë post Ndrec Dedën. Prezantimi i tij është bërë nga Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, i cili theksoi se
Policia Bashkiake ka përmirësuar cilësinë e bashkëjetesës qytetare dhe do të vazhdojë të jetë akoma më shumë pranë komunitetit. “Sot me plot të drejtë qytetarët dhe qytetaret e Tiranës kërkojnë edhe më shumë nga ju, kërkojnë që Policia Bashkiake të jetë edhe më e përgjegjshme, të jetë edhe më e gatshme, të jetë edhe më e mirësjellshme, të jetë edhe më e aftë dhe e përgatitur për t’u gjendur pranë. Edhe sikur të jetë një
qytetar i vetëm që paraqet një problem që ka lidhje me cilësinë e jetës në komunitet”, deklaroi Rama. Ded Ndreca ka qenë në krye të Policisë Bashkiake që prej krijimit të kësaj strukture policore ndërsa pak ditë më parë dha dorëheqjen nga ky post.
6 Tetor 2009