I penduari rrëfen botën e nëndheshme të krimit në Durrës
Laureta Rryçi
Adriatik Coli, dje nuk ka kursyer as veten, as Lul Berishën dhe as 16 të pandehurit e tjerë duke rrëfyer vrasje, atentate, trafiqe. Falë këtyre trafiqeve, për vite me radhë, dhjetëra - miliona lekë qarkullonin nëpër disa shtëpi kaposh. I penduari i bandës së Durrësit ka rrëfyer më në fund botën e nëndheshme të krimit, në qytetin bregdetar. Pazare për trafiqe të ndryshme që shpesh herë kanë përfunduar në viktima apo atentate të pa realizuara deri në fund, kanë zënë vend në dosje si histori filmash. Kështu, me seancën e djeshme, ka marrë fund dhe odiseja e shtyrjeve pa fund të procesit, duke thënë një herë e mirë atë çka Prokuroria e Krimeve të Rënda e ruante si asi nën mëngë për 17 të pandehurit e kësaj dosjeje. Seanca zgjati më shumë se pesë orë, në masa të rrepta sigurie dhe u zhvillua pa praninë e medieve. Burime nga persona që ishin prezent në sallën e gjyqit pohuan dje për gazetën “Albania” se gjatë gjithë seancës i penduari ka rrëfyer jetën kriminale të të pandehurve nga viti 1998 e deri në momentin e arrestimit.
Dëshmia
Pas 83 seancash gjyqësore që shtyheshin për mungesë të avokatëve, Adriatik Coli e tha dhe fjalën e tij prej të cilës ka përfituar dhe statusin i penduari i drejtësisë. Burime pranë kësaj gjykate treguan se Coli fillimisht e ka nisur dëshminë e tij në vitin 1998 atëherë kur është bërë dhe pjesë e bandave të cilët vepronin në ato vite në qytetin e tij të lindjes. Vrasje, konflikte me bandash për interesa që përkthehen në miliona dollarë kanë ndodhur në zemër të këtij qyteti dhe vetëm pas më shumë se dhjetë vitesh po bëhen publike. Coli ka dëshmuar për miqësinë me Lulzim Berishën. Personat që urdhëronin atentatet, vrasjet dhe drejtonin trafiqet e lëndëve narkotike. Përse u nda banda mes Lulzim Berishës dhe Indrit Dokles dhe vënia e një çmimi marramendës për kokën e secilit prej tyre.
Vrasjet
I penduari i drejtësisë, Adriatik Coli dje u ka vënë autorët për secilën vrasje pa autorë që kanë ndodhur nga viti 1998 e deri para dy vitesh kur dhe u arrestuan. Mësohet se Coli ka përmendur edhe emra personash të cilët nuk janë të pandehur në këtë dosje, të dhëna të cilat për Prokurorinë konsiderohen si të dhëna sekrete që do të ndikojnë në zgjerimin e kësaj dosjeje. Sipas dëshmisë së djeshme rezultoi se i pandehuri Lulzim Berisha dhe shtetasi Kledjan Saliu ( aktualisht i vrarë) që nga viti 1997 e në vazhdim kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale në të cilën bënin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Indrit Dokle si dhe shtetasit Ilir Xhunga, Arben Paja, aktulisht të vrarë. Kjo organizatë kriminale për shkak të veprimtarisë së saj ka kryer një numër të madh veprash penale, hetimet për të cilat një pjesë ishin pezulluar për zbulimin e autorëve.
Avokatët: I penduari t’i nënshtrohet një ekzaminimi psikik
Avokatët e të pandehurve të bandës së Durrës iu drejtuan dje kolegjit penal gjatë seancës me një kërkesë të veçantë. Mbrojtësit ligjorë i kërkuan kolegjit penal të Krimeve të Rënda që i penduari të mos vazhdonte dëshminë e tij por të lejohej një ekzaminim psikik i tij. Avokatët e mbrojtën kërkesën e tyre me faktin se i penduari gjatë fillimit të dëshmisë së tij vetëm sa po delironte duke bërë gjatë gjithë kohës aludime dhe duke ndërtuar ngjarje në bazë të fakteve. Kolegji penal pasi ka shqyrtuar këtë kërkesë vendosi ta rrëzojë atë duke e cilësuar të pabazuar në ligj. Sipas kolegjit penal, i penduari nuk kishte pse t’i nënshtrohej një ekzaminimi të tillë për shkak sepse gjendja e tij mendore paraqitej shumë e mirë. Ai po sillej gjatë dëshmisë si një njeri normal dhe për rrjedhojë kanë vazhduar më tej me dëshminë duke hedhur poshtë kështu një nga mundësitë e avokatëve për të sabotuar procesin.
Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani
6 Tetor 2009