E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: “Do ndërhyjmë në ligjin për avokatët që të mos shtyjnë seancat”



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani duket se e ka gjetur zgjidhjen që seancat gjyqësore të mos shtyhen më pafund. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie pohuan dje për gazetën “Albania” se lidhur me këtë shqetësim Nishani ka realizuar një takim me drejtuesit e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Gjatë bisedave mësohet se shqetësimi ka qenë i përbashkët. Nishani ka rënë dakord se zgjidhja e kësaj çështje mund të bëhet vetëm duke ndërhyrë në legjislacion. “ Çështja e shtyrjes së seancave gjyqësore padyshim që është kthyer në shqetësim e bërjes së drejtësisë, e zbatimit të drejtësisë. Në këtë kontekst ne kemi menduar të shikojmë një amendim të legjislacionit përmes një grupi pune të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë por edhe palëve të tjera të interesit, në mënyrë të tillë që të përcaktohet se cila do të jetë ndërhyrja në këtë amendim dhe legjislacion për të ngushtuar të gjitha hapësirat që mund të përdoren për të abuzuar me procedurën”, kjo ka qenë deklarata e ministrit Nishani pas takimit me përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë. Më tej ai ka shpjeguar se në takim kanë rënë dakord që ky është një shqetësim i përbashkët, dhe se në ditët që vijnë do ta konkretizojmë këtë shqetësim përmes një grupi pune të përbashkët me përfaqësues nga gjyqësori, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë dhe me përfaqësues nga organi i Prokurorisë. Nishani i ka mëshuar faktit që kjo të jetë një iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të tillë që të përcaktojnë qartazi në çfarë momenti mund të ndërhyjmë në pjesën e legjislacioni në mënyrë që kushdo që tenton të abuzojë më pas me procedurën ta këtë hapësirë të mbyllur.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›