E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX konfirmon shtyrjen, në prapaskenë përsëri Rusia

Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, do të shtyhet përtej datës 15 qershor kur ishte parashikuar sipas planit të Ahtisarit, datë që përkon me 

hyrje në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe kalimin e plotë të kompetencave nga UNMIK tek institucionet. Tashmë kjo fazë do të ketë më shumë probleme se sa ishte parashikuar dhe shtyrja e misionit, siç thuhet nga 6 deri në 8 javë, ka irrituar edhe klasën politikë në Kosovë, të cilët e vlerësojnë si pa kuptim një vendim të tillë. Por anëtarët e EULEX thonë se, problemi qëndron në miratimin që duhet t’i bëjë Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtij misioni, i cili do të marrë parasysh mbulimin e misionit të UNMIK që ka pasur deri tani administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në vitin 1999. Sipas burimeve mediatike pranë Kombeve të Bashkuara, shkak për shtyrjen e kësaj vendimmarrjeje është bërë Rusia, e cila ende vazhdon ta vlerësojë si ilegal misionin e BE-së. Rusët kërkojnë që për Kosovën vendimet duhet t’i marrë vetëm OKB, pasi ruajnë të drejtën e vetos në këshillin e lartë të këtij institucioni. Edhe pse misioni i BE-së ishte thjesht mbikëqyrës dhe këshillues, tashmë ka mbetur pa u sqaruar se deri ku do të shkojnë kompetencat e UNMIK pas 15 qershorit, kohë kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Shefi i EULEX-it Iv De Kermabo, vizitoi dje Kosovën, ku zhvilloi takime me udhëheqësit vendas dhe me përfaqësuesit e institucioneve për sundim të ligjit. Kjo vizitë do t’i sigurojë Kermabosë një mundësi për t’i diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të bashkërenditur veprimet me homologët e tij të ardhshëm. Ndërkohë, diplomatë të BE-së kanë konfirmuar se fillimi i punës së misionit të BE-së do të shtyhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›