E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetovë, sulme reciproke BDI-PDSH

Fushata zgjedhore në Maqedoni vazhdon të jetë e tensionuar për shkak të trazirave të krijuara prej dy partive më të mëdha shqiptare në këtë vend, BDI dhe PDSH, aktivistët e të cilave kanë sulmuar edhe shtabet reciproke të këtyre partive, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. 

Në Tetovë janë shënuar dy sulme në shtabet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare, një me plumba dhe tjetri me gurë. Të dy sulmet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, nën një frymë urrejtjeje të pajustifikuar mes aktivistëve shqiptarë në Maqedoni. Sulmi i parë u shënua kundër shtabit të BDI-së së Ali Ahmetit, rreth orës katër të mëngjesit, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë kundrejt godinës ku bëheshin përgatitjet e fushatës zgjedhore në BDI-së. Fatmirësisht nuk njoftohet të ketë pasur viktima dhe as të plagosur, por vetëm dëme materiale. Pak më vonë, ende pa u gdhirë, ndodh një tjetër sulm, këtë radhë kundër shtabit të PDSH-së në një fshat pranë Tetovës. Ngjarja ka ndodhur në Gllogje, ku godina e PDSH-së së Menduh Thaçit u godit me gurë, duke shënuar vetëm disa dëme të lehta materiale. Dy incidentet janë njoftuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, e cila njëkohësisht i dënoi ato. Në një komunikatë për shtyp, Ministria e Brendshme maqedonase njoftoi se në incidentet pranë godinës së BDI-së atentatorët janë larguar me një automjet të tipit “Golf” dhe nuk është bërë ende i mundur identifikimi i tyre. Ministria maqedonase njoftoi se do të merren të gjitha masat për të bërë zbardhjen e të dyja këtyre incidenteve. Që nga fillimi i fushatës zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni që do të mbahen më 1 qershor, janë regjistruar 12 incidente në Tetovë dhe Gostivar mes grupeve shqiptare. Incidentet kanë të bëjnë me rivalitetin mes partive të mëdha shqiptare në këto zona. Pjesa më e madhe e tyre janë drejtuar kundër BDI-së. Incidentet nuk mirëpriten as nga komuniteti shqiptar në Maqedoni, që përbën 25 për qind të popullsisë, dhe duket se ato kanë një frymë të izoluar partiake. Pas sulmit të bërë kundër Ali Ahmetit të BDI-së vetëm pak ditë më parë, rreth 10 mijë shqiptarë kanë protestuar në Tetovë kundër incidenteve të dhunshme brenda etnisë së tyre. Mijëra mbështetës të partisë së madhe shqiptare në Maqedoni, BDI, kanë demonstruar në qytetin verior të Tetovës për të protestuar kundër përpjekjes për të vrarë liderin e partisë. Të hënën e kaluar një njeri i armatosur qëlloi në drejtim të makinës së Ali Ahmetit me automatik, ndërsa ai nisi fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 1 qershorit. Të paktën tetë njerëz të tjerë, anëtar të partisë së tij janë sulmuar pranë zyrave të tyre, shtatë me armë zjarri dhe një me granatë dore. Nuk janë raportuar plagosje apo viktima nga këto incidente. Protesta u mbajt nën moton “Stop Dhunës”. Ali  Ahmeti u shpreh në këtë tubim se: “Shqiptarët duhet t’i thonë stop vrasësve dhe torturës psikologjike. 1 qershori duhet të jetë një ditë pushimi, jo një ditë dhune dhe frike”. Pas incidentit Ahmeti akuzoi rivalët e tij politikë shqiptarë në Maqedoni, PDSH, si organizatorë të këtij sulmi dhe të sulmeve të tjera ndodhur gjatë fundjavës. Liderët e PDSH në pushtet akuzuan Ahmetin se po përhapte frikë dhe urrejtje më fjalimin e tij në tubim. Me sa duket rivaliteti vazhdon. Situata më Maqedoni mes partive shqiptare është dënuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›