E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emisari i zhgënjyer për Moçkën

Ka mbetur i zhgënjyer i dërguari i klubit të Ajaksit në misionin e tij vëzhgues në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ku do të shihte portierin Shpëtim Moçka. 

 Jo se ky i fundit është paraqitur keq, por sepse nuk ka dalë fare në fushën e lojës për ndeshjen kundër Elbasanit. Drejtuesit e klubit vlonjat kanë vendosur ta mbajnë në stol dhe djaloshi i ri, i mërzitur që po i ikte një shans i madh për karrierën, ka zgjedhur të largohet fare nga stadiumi. Për Arben Kasollin, njeriu që kryen rolin e vëzhguesit për llogari të klubit më të famshëm të Holandës, një gjë e tillë është e pakonceptueshme dhe e pabesueshme. “Nuk e mendoja se do të ndodhte ndonjëherë që drejtuesit e skuadrës të mos aktivizojnë portierin titullar për shkak se për të interesohet Ajaksi”, thotë Kasolli, ish-portieri që kishte ardhur nga Holanda posaçërisht për këtë punë. Pasi ka mësuar për portierin e talentuar vlonjat, ai ka biseduar me drejtuesit e klubit të Amsterdamit dhe ata e kanë nisur në Shqipëri, një mision që për momentin ka dështuar. “Unë duhet të bëja një raport për paraqitjen e Moçkës, ku do të tregoja për formën e tij si dhe nëse ia vlen ta marrim për provë te Ajaksi”, vazhon Kasolli. I pyetur nëse vlonjati do të thirret në Holandë, pavarësisht se nuk u vëzhgua në ndeshje, emisari i “shigjetarëve” shpjegon: “Nuk e di, sepse nuk e pashë me sytë e mi në lojë. Fjala ime dëgjohet në klub, por prej vitesh kam krijuar një emër të mirë në këtë punë dhe nuk dua ta prish. Është tjetër gjë të dëgjosh të flitet mirë për një portier dhe tjetër gjë ta shohësh në lojë, aq më tepër që në Holandë kanë kërkesa shumë specifike për lojën e portierit, ndryshe nga vendet e tjera. Do të raportoj te menaxheri teknik i Ajaksit dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë”.
Ndër të tjera, Kasolli tregon edhe kuriozitetin sesi ka arritur të fitojë besimin e të madhit Johan Krujf, i cili e ka thirrur si stërvitësh portierës në akademinë e tij. “Me Krujfin nuk jam takuar asnjëherë personalisht. Ai ka një program jashtëzakonisht të ngjeshur dhe pjesën më të madhe të kohës qëndron jashtë Holandës”, thotë Kasolli. “Komunikojmë me e-mail, por shpresoj ta takoj pas disa javësh”. Ndërkohë, Kasolli shton edhe se Ajaksi nuk është kulmi i egos së tij. “Ajaksi u bën të gjithëve përshtypje, por unë tani jam mësuar me të. Shumë klube të mëdhenj kërkojnë stërvitës portierësh dhe synimi im është Anglia”, tregon Kasolli planet për të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›