E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, sot dita e provës së madhe për Kosovën



Ashtu siç ishte parashikuar, misioni EULEX i Bashkimit Europian do të dislokohet sot në Kosovë. Megjithatë, reagimet kanë qenë të ndryshme lidhur me këtë ngjarje. Shqiptarët e Kosovës duken të irrituar, ndërsa serbët skeptikë. Serbët në Veri janë shprehur se do të duhet shumë kohë që ata të shohin se EULEX-i do të mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës. 100 zyrtarë të EULEX-it do të dislokohen sot në Veri. Ndërkohë shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, tha se pak oficerë policie dhe policë kufiri do të dislokohen pikërisht në pikat e kontrollit mes ndarjeve administrative në veri të Kosovës të krijuara pak para shpalljes së pavarësisë. Për të parandaluar çdo lloj tensionimi të situatës para vendosjes zyrtare të EULEX-it, një numër ushtarësh të KFOR-it u pozicionuan në këtë zonë. Rreth 3000 forca të misionit europian pritet të dislokohen në Kosovë, por në këtë mision do të jenë të pranishëm edhe amerikanë dhe trupa nga misionet e tjera. Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian thanë dje se në Kosovë është bërë përparim në disa fusha, siç është miratimi i shumë ligjeve, por vërejtën se në Kosovë “duhet të forcohen institucionet e shtetit juridik dhe mbrojtja e pakicave”. Në Kosovë duhet të “forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të përmirësohen kushtet e jetesës”, - thuhet në konkluzionet nga takimi në Bruksel.

Analistët: EULEX-i zbaton edhe 6-pikëshin, edhe 4-pikëshin

Analistët kanë vlerësuar se për Kosovën është me rëndësi sigurimi i shtrirjes e EULEX-it në të gjithë territorin, por ata tërheqin vërejtjen se ky mision, pavarësisht deklarimeve të autoriteteve në Prishtinë, do të zbatojë edhe planin 6-pikësh të OKB-së. Zbatimi i planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të krijonte dualizëm në fushat e sundimit të ligjit, - thonë analistët. Ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të zotohet se 6-pikëshi i OKB-së nuk do të zbatohet, duke vlerësuar se deklarata e fundit e Këshillit të Sigurimit nuk e thotë që ky plan do të zbatohet. Beogradi në anën tjetër zbatimin e 6-pikëshit e potencon si kusht për pajtimin e dhënë në lidhje me shtrirjen e EULEX-it. Nisur nga këto pozicione të kundërta të Prishtinës e Beogradit, analistët konsiderojnë se 6-pikëshi, me gjithë premtimet e Qeverisë së Kosovës, do të zbatohet. Sipas analistit
Ramush Tahiri, EULEX-i shkurton rrugën e Kosovës drejt Europës. Ai konsideron se EULEX-i do të zbatojë edhe 6-pikëshin, edhe 4-pikëshin, varësisht zonave të shtrirjes. Por, problemet e këtij funksionimi, sipas tij, do të reflektohen te gjykatat, policia dhe doganat.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›