E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje të ashpra në Selanik, qeveria bën thirrje për përmbajtje

Partia Socialiste në opozitë u bëri thirrje qytetarëve të dënonin qeverinë. Pavlopoulos dënoi dhunën që dëmton paqen dhe pronat e njerëzve të pafajshëm

Përleshje ka pasur gjatë ditës së djeshme në Greqi mes forcave policore dhe protestuesve, këtë radhë në qytetin verior të Selanikut. Rreth 300 studentë pasi u përpoqën të sulmonin komisariatin e policisë, shkatërruan automjete dhe dyqane duke protestuar kundër vdekjes së 15-vjeçarit të vrarë nga një polic në Athinë i cili më pas u arrestua. Pas dy ditësh përleshjeje u duk se u kthye qetësia, të paktën në kryeqytetin Athinë. Kritika të ashpra ka pasur nga opozita e majtë ndaj qeverisë e cila kërkoi që të protestohej ndaj “barbarisë policore”. Partia më e madhe e opozitës, ajo Socialiste, u bëri thirrje qytetarëve të dënonin qeverinë. Ndërsa partia ekstreme e djathtë, Laos, kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi për të zbardhur dhunën urbane të protestuesve. Nga kryeqyteti helen deri në Selanik skenat kanë qenë të njëjta dhe tronditëse. Xhama të thyer dhe të shpërndarë gjithkund, tym të gazit lotsjellës, gurë dhe bomba molotov. Policia ka qenë në gatishmëri qëkur filluan përleshjet të shtunën në mbrëmje, kur adoleshenti dhe një grup të rinjsh po protestonin në lagjen “Eksarqia” të Athinës kundër reformës në universitete. Në ato momente kaloi një patrullë policie. Sipas dëshmisë së policëve, grupi i të rinjve hodhi shishe birre mbi makinën e policisë dhe më pas ofendoi policët grekë. Në dëshminë e tij në hetuesi, polici, i cili akuzohet si autor i vrasjes së adoleshentit Grigoropoulos, thotë se qëlloi në tokë por plumbi bëri rikoshetë dhe vrau adoleshentin. Por dëshmitarët në vendngjarje dëshmuan për mediat se policia qëlloi në drejtim të adoleshentit. Ministri i Brendshëm, Prokopis Pavlopoulos, u shpreh se e kuptonte indinjatën e popullit, por në të njëjtën kohë dënoi dhunën që, sipas tij, po dëmton paqen sociale dhe pronat e njerëzve të pafajshëm. Qeveria “është e vendosur të respektojë ligjin” duke denoncuar dhunën që ka provokuar shkatërrime të mëdha, disa të plagosur dhe të ndaluar. Konfrontime të ashpra midis anarkistëve dhe policisë greke ka pasur në 14 qytete të Greqisë. Autoritetet deklaruan se universitetet e Athinës dhe të Selanikut do të qëndrojnë të mbyllura për disa ditë. Protestat e dhunshme kanë përfshirë edhe qytetet si Patra, ishujt e Kretës dhe Korfuzit. Studentët do të shoqërohen edhe nga profesorët e universiteteve, të cilët janë shprehur se do të bojkotojnë për tri ditë mësimin.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›