Volfart raporton në Vienë: Për zgjedhjet lexoni ODIHR-in, për 21 Janarin prisni prokurorinë
Ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, Eugen Volfart, ka raportuar sot përpara Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate, me qendër në Vienë. Raporti i tij për punën e një viti të Prezencës së OSBE nis duke theksuar se arritja më e madhe e këtij viti ishte heqja e vizave, kurse çështja kryesore, vijimi i ngërçit politik. Nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010. Deri më sot, qytetarët shqiptarë kanë treguar se e kanë merituar besimin që u është dhënë nga të gjitha vendet e zonës Schengen. Megjithatë, çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash, tha Volfart në Vienë.
Më pas ai nuk ka preferuar të japë ndonjë koment për zgjedhjet duke thënë se duhet lexuar e zbatuar raporti i ODIHR. Edhe për ngjarjet e 21 janarit nuk ka pasur ndonjë koment. Volfart ka deklaruar se për to po heton prokuroria. Volfart ka theksuar se opozita nuk e ka kryer detyrën e saj kushtetuese për të kontrolluar punën e qeverisë. Sa i përket medias, ai ka folur për joshje të qeverisë ndaj medias me reklama e kontrata qeraje. Sipas tij, moshetimi i të korruptuarve në nivele të larta, mbetet një problem.
Më poshtë disa nga përfundimet e Volfart.
Për zgjedhjet
Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk do t’i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë thuhet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë. Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore.
Për 21 janarin
Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër. Në ditët që pasuan këto trazira, u vu re gjuha më e ashpër e përdorur ndonjëherë publikisht së fundmi nga të dyja palët, jo më pak edhe nga qeveria në sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme, të cilat veçse acaruan edhe më tej një situatë tanimë të tensionuar. Të gjitha palët duket se e kuptojnë tashmë se sjelljet e secilës prej tyre në këtë periudhë nuk ndihmuan shumë për të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as komisioni hetimor parlamentar nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të prekshëm.
Për bojkotin e Kuvendit
Sa i përket Kuvendit, megjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse.
Për korrupsionin
Në luftën kundër korrupsionit, harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv. Qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat. Progres është arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm. Edhe futja në përdorim e sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike i zvogëlon kontaktet midis autoriteteve kontraktuese dhe ofertuesve, duke ulur kështu edhe mundësitë për korrupsion. E megjithatë, ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mosndjekja e këtyre rasteve nga Prokuroria.
Për median
Në lidhje me median, liria e shprehjes përgjithësisht respektohet. Nuk dihet te ketë ndonjë rast të ndonjë gazetari të çuar në gjykatë nga shteti për shkak të bindjeve të shprehura publikisht. Ajo që po vihet re, është se qeveria është në gjendje të “inkurajojë” disa media më shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera. Për sa i përket politikave, Komisioni Parlamentar për Integrimin Evropian, miratoi Projektligjin për Transmetimet me Zë dhe/ose me Figurë, duke verifikuar përputhshmërinë e tij me direktivat e BE-së. Ky projektligj ka të meta serioze në lidhje me kompetencat që i jepen organit mbikëqyrës të medias elektronike, si edhe sa i përket përbërjes politike të këtij organi.