E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Skandal tenderi për celularin e katërt, Shqipëria, çmimet më të larta në rajon

Një skandal i denoncuar nga gazeta Tema, risillet në kujtesë nga një kabllogram i ambasadës amerikane, që e quan shkelje të rëndë dhënien e kësaj licence. Në kabllogram theksohet me ironi dëshira e Berishës për ti bërë shkeljet në mënyrë kolektive

Me titullin Pyetje serioze për licencën e katërt celulare kabllogrami me numër 09TIRANA259 dhe i klasifikuar si  I ndjeshëm i ambasadës amerikane ngre shqetësimin e SHBA-së për metodat korruptive që u përdoren në Shqipëri në dhënien e licencës së katër celulare, PLUS. Më poshtë kabllogrami i plotë:

Përmbledhje: Më 23 prill Parlamenti miratoi një ligj për dhënien e licencës së katërt celulare konsorciumit  PTK, i përbërë nga Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës dhe një grup biznesmenësh shqiptarë. Ligji anashkaloi procedurat e tenderimit të Shqipërisë dhe u pasua nga një vendim nga Rregullatori Telekomunikacionit (AKEP) që anuloi tenderin për mungesë të konkurrencës. Para se AKEP-i  të mund të njoftonte një tender të ri, Ministri i Telekomunikacionit papritmas nisi një procedurë për dhënien e licencës për një nga ofertuesit. Këshilli i Ministrave hartoi një ligj që u kaloi me nxitim pastaj përmes komisionit parlamentar të ligjeve. Disa grupe biznesi në vend i kanë quajtur procedurat e qeverisë shqiptare të paligjshme, ndërsa opozita ka qenë përgjithësisht e qetë.

Tenderi për licencën e katërt celulare: Më 8 dhjetor 2008 Qeveria njoftoi një tender ndërkombëtar për një licencë të katërt GSM. Vendimi u mirëprit për shkak se tarifat celulare kanë mbetur ndër më të lartat në Evropë, pavarësisht nga hyrja e një operatori të tretë celular në mars 2008 në një treg dypolar të dominuar për gati shtatë vjet nga AMC dhe Vodafone.

Tre konsorciume shprehën interes, por vetëm dy dorëzuan ofertat financiare dhe teknike: Univers PG, oferta 5.000.000 , dhe konsorciumi i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK) me një grup shqiptar investitorësh, oferta  7.200.000 . Komisioni i vlerësimit të ofertave i AKEP-t, megjithatë i informoi ofertuesit se do të pezullojë procesin e vlerësimit pasi oferta e Univers PG nuk ka plotësuar kërkesat e tenderit. (Shënim: Një vendim i Këshillit të Ministrave kërkon të paku dy ofertues të kualifikuar për të gjitha ofertat.) Kur ofertuesi nuk e apeloi vendimin, AKEP-i ndërpreu tenderin. Në këtë pikë  duhej të shpallej një tender i ri.

Qeveria anashkalon procedurat e veta:  Për habinë e të gjithëve, qeveria shqiptare vendosi të japë licencën e katërt me një vendim të drejtpërdrejtë të Kuvendit, ose si Kryeministri Berisha preferon ta quajë, ” një vendim kolektiv”. Ministri i Telekomunikacionit Olldashi nxiti vendimin nr 319 më 1 prill të Këshillit të Ministrave, i cili i propozon Parlamentit projekt-ligjin “Për dhënien e licencës së katërt celulare për  konsorciumin e PTK-së dhe investitorët shqiptarë “. Parlamenti miratoi ligjin më 23 prill, pavarësisht një bojkoti nga ana e Partisë Socialiste të opozitës. (SHËNIM: bojkoti i PS nuk kishte lidhje me tenderin). Motivet e PD-së mund të përfshijnë një dëshirë për ti treguar elektoratit se ata janë duke bërë diçka në lidhje me faturat e larta të telefonisë celulare, ose se ata janë duke u përpjekur për të blerë mbështetjen e biznesmenëve në konsorcium. Reagimi i PS ndaj ligjit është çuditërisht i qetë. PS-ja mund të frikësohet reagimit negativ të votuesve nëqoftëse ata kundërshtojnë masat që mund të reduktojnë tarifat celulare. Megjithatë, kreu i PS, Edi Rama kërcënoi se do ta heqë licencën nëse fiton partia e tij.

Koment:  Korrupsioni mbetet pengesa më e madhe në Shqipëri për investimet e huaja dhe është më i dukshëm në çështjet e regjistrimit të tokës dhe në krijimin e monopoleve të tilla si telekomunikacionet apo importi dhe prodhimi i naftës. Licencat celulare u sigurojnë politikanëve të korruptuar dhe  oligarkëve të fuqishëm mundësinë për të vjedhur nga popullsia pasi qeveria bën kontrollin rregullator, përcakton politikën e telekomit, dhe ka vendosur tani një precedent për dhënien e tenderit. Megjithatë, mënjanimi që Këshilli i Ministrave i bëri ligjeve dhe rregulloreve të prokurimit të krijuara nga qeveria, dhe thjesht dhënien e licencës për një kompani të zgjedhur, është një hap më poshtë për sistemin shqiptar (ose mungesa e tij). Në fund, vendimi për të injoruar rregulloret e vendosura mund të jetë asgjë më shumë se politika e vitit të zgjedhjeve, por kjo dërgon një sinjal shqetësues rreth angazhimit të Shqipërisë për çrrënjosjen e korrupsionit të nivelit të lartë.

Tarifat celulare në Shqipëri më të lartat në rajon

Në një tjetër kabllogram për telefoninë celulare, ambasada ngre shqetësimin për tarifat shumë të larta që sipas saj janë më të lartat në rajon.  Kabllogrami i krijuar në vitin 2007 drejton kritika ndaj institucioneve shtetërore rregullatore për mosndërhyrjen në prishjen e dypolaritetit të kompanive AMC dhe Vodafone.

Për gati shtatë vjet të dy operatorët kryesorë, AMC dhe Vodafone, dominuan në mënyrë të përbashkët tregun fitimprurës, me 2007 me një xhiro vjetore prej 389 milion euro (AMC – 201 milion euro dhe Vodafone 188 milion euro) – marzhi neto i fitimit të AMC është 34.6 për qind,  është më larti në mesin e të gjitha kompanive të Grupit Cosmote me atë që vjen pas me 19.5 për qind. EBIDTA AMC për vitin 2007 arriti në 62 për qind, ndërsa rezultati tjetër më i lartë në grup është 41.7 për qind. Tarifat e AMC-së janë më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në Evropë. Çmimi mesatar i ponderuar për minutë në Shqipëri është 0,23 euro, krahasuar me 0,11 euro në 0,16 euro në Maqedoni dhe në Greqi.

Më tej ambasada vëren se institucionet shqiptare janë përgjegjëse për këtë, pasi duhet të rregullojnë tregun. Në vitin 2007, Raport – Progresi i BE-së për Shqipërinë, vë në dukje se Enti Rregullator i Telekomunikacioneve Shqiptare (ERT) nuk ka qenë i aftë  rregullojë tregun e tarifave të larta të shitjes me pakicë të  dy operatorëve celularë. Qeveria dhe komisionet parlamentare të ndryshme kanë qenë gjithashtu të pasuksesshëm. Megjithatë, në vitin 2007, Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës kreu një hetim mbi abuzimin me pozitën dominuese të AMC dhe Vodafone dhe vendosi një gjobë prej 3.760.000 euro për to për shkelje të rregullave të konkurrencës. ERT ka rritur përpjekjet për të vendosur tarifat e interkonjeksionit pas operatorëve të telefonisë fikse dhe mobile pa arritur një marrëveshje.

Në fund ambasada sheh si shpëtim licencimin e katërt dhe pse operatori i tretë i sapofutur në treg nuk kishte dhënë akoma efektet e pritshme në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›