E Shtunë, 31 Tetor 2026

WIKILEAKS/ Dyfytyrësia e Berishës, nga shitja e vendit tek flirti për Shqipërinë e Madhe

Janë dy kabllograme të ndryshme, me data të ndryshme, por që nxjerrin në pah fytyrën e vërtetë të një njeriu mashtrues, që për të mbajtur pushtetin është gati të bëjë gjithçka. Por nxjerr në pah edhe diçka tjetër, maninë e tij për të pasur kontroll mbi çdo shqiptar kudo që është, në Shqipëri, Kosovë a Maqedoni.

Në kabllogramin e parë me titull Greqia merr bregdetin, flitet për lëshimet e forta që po i bën Shqipëria Greqisë. Siç është publikuar këto ditë, SHBA e ka pasur nën kujdes marrëveshjen e ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, ku qeveria shqiptare dhuroi territorin e saj për vendin fqinj.

Në kabllogram flitet për vizitën e Karamanlis, ish- kryeministrit grek në Shqipëri.

Më 27-28 prill, kryeministri grek Kostas Karamanlis vizitoi Shqipërinë, në të parën vizitë të një kryeministri grek që nga viti 1992. Për shkak të protestave, presidenti grek Karolos Papulas kishte ndërprerë një vizitë në Shqipëri në vitin 2005. Por tani ka lindur një ditë e re. Ambasada greke dhe Ministria e Jashtme thonë se këto janë marrëdhëniet me të mira që nga viti 1973. Pala greke thotë se nënshkrimi i marrëveshjes për shelfin detar mes dy vendeve ishte arritja më e madhe. Media e ka sulmuar qeverinë se ka dhuruar më shumë për grekët. Zona në fjalë është strategjike dhe ka potencial për turizëm dhe naftë. Disa vëzhgues thonë se ky koncesion është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, thuhet në kabllogram.

Në të thuhet se Berisha e Karamanlis zhvilluan një takim kokë më kokë dhe asnjë detaj nuk doli në dritë.

E kombinuar me marrëveshjen për detet, marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë, ratifikimin e MSA dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duket se çështjet kryesore bilaterale janë zgjidhur. Megjithatë, ndërsa qeveria dhe grekët janë të kënaqur, shumë shqiptarë nuk janë, gjykuar kjo nga reagimi i medias dhe disa liderëve politikë. Marrëveshja për kufijtë detarë ka provokuar një valë dyshimesh në lidhje me motivet e vendimit dhe se si Shqipëria ia dha gjithçka Greqisë sipas kërkesave të saj. Grekët dolën pa lagur edhe nga çështja e ndjeshme çame. Qeveria duket se nuk ka ndërmend ta ndjekë këtë çështje pasi rreth 600 mijë shqiptarë punojnë atje dhe Greqia është partneri i dytë tregtar për Shqipëri. Mbi të gjitha, kjo duket një vizitë e mirë për Greqinë, thuhet në komentin e kabllogramit.

E ndërsa Kushtetuesja e ktheu mbrapsht marrëveshjen, Berisha kishte kohë të mendonte se si të ishte mbi të gjithë shqiptarët. Në një kabllogram të mëvonshëm, që mban datën 15 tetor 2009, ambasada shpreh shqetësim për deklaratat e Berishës për Shqipërinë e Madhe. Kabllogrami mban titullin Berisha po flirton me Shqipërinë e Madhe?.

Në fillim të gushtit Berisha bëri testin e parë në ujërat e politikës kosovare kur u takua me dy liderë të dy partive politike kosovare dhe nënshkroi me ta memorandume bashkëpunimi. Disa kritikë u tërbuan e fajësuan Berishën se po mbante krah në politikën e Kosovës, nis kabllogrami.

Megjithatë tensioni u bë shumë më i lartë kur Berisha në një intervistë foli për bashkimin e kombit shqiptar. Këshilltarët e kryeministrit na thanë se Berisha e sheh veten si një tip këshilltari, si një burrë i urtë shteti për politikanët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni, thuhet në kabllogram.

Qeveria serbe reagoi menjëherë ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur dhunim të sovranitetit të Serbisë. Ish- ministri i Jashtëm, Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se komentet nuk kishin lidhje me bashkimin territorial Shqipëri- Kosovë, por me bashkimin në idealet e BE.

Por tensioni nuk u ul dhe ambasada amerikane mbeti e shqetësuar, sidomos kur Blendi Fevziu, të cilin ambasada e quan një analist shumë pranë Berishës, publikoi editorial tek Panorama, e cila cilësohet si një e përditshme pranë qeverisë. Fevziu shkruante se nuk duhet të ketë askush frikë nga bashkimi mes Kosovës e Shqipërisë.

Në këto kushte, ambasadori Uidhers e thirri Berishën në zyrën e tij duke i thënë se deklaratat e tij komplikojnë përpjekjet e SHBA për të avancuar paqen e stabilitetin në rajon.

Ambasadori i kërkoi Berishës që të përdorte udhëtimin e tij në Kosovë për të qartësuar qëndrimin e Shqipërisë për sovranitetin e Kosovës, thuhet në kabllogram.

Dhe Berisha u soll si një nxënës i mirë. Në kabllogram thuhet se ai deklaroi se komentet e tij ishin keqkuptuar, se ai nuk kishte bërë kurrë thirrje për unifikimin e dy shteteve.

Një e mirë e këtij keqkuptimi ishte se Ilir Meta realizoi një vizitë në Serbi, thuhet në kabllogram.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›