KQZ-ja shtyn për në orën 20:00 dorëzimin e listave së kandidatëve nga partitë politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që të shtyjë orën e dorëzimit të listave të kandidatëve nga partitë politike. Vendimi për shtyrjen e afatit të dorëzimit të listave erdhi pas zhvillimit të një mbledhjeje urgjente pasditen e djeshme. Më parë ora e dorëzimit të listës së kandidatëve nga partitë politike ishte lënë ajo 16:00. Anëtarët e KQZ-së nuk bëjnë të ditur arsyen e shtyrjes së afatit të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë. KQZ-ja diskutoi edhe për formatin e fletës së votimit që do të përdoret për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shkak për këtë është bërë rritja e numrit të partive që janë regjistruar përkrah katër koalicioneve konkurruese, si dhe partive të tjera që do të garojnë më vete në këto zgjedhje. Komisioni nuk kishte parashikuar listat e partive kandiduese për zgjedhjet e 28 qershorit të përbëhej nga 45 subjekte dhe tashmë do të jetë i detyruar që të rishohë përmasat e fletëve të votimit. Për të zgjidhur këtë problem ekspertët e KQZ-së kanë nisur punën për të përcaktuar përmasat e reja të fletës së votimit. Në bazë të Nenit 97 dhe të Nenit 98 të Kodit Zgjedhor, më 4 mars u miratua modeli i fletës së votimit. Fleta e votimit ishte parashikuar që të kishte përmasat 30 cm e gjerë dhe 42 cm e gjatë. Për ndryshimin e specifikave të fletëve të votimit, KQZ-së do t’i duhet që të mblidhet sërish. Anëtarët e KQZ-së diskutuan parimisht disa variante të fletëve të votimit, por pa vendosur se kush do të jetë fleta e votimit. PS-ja ka kërkuar nga KQZ-ja që fleta e votimit të ketë elemente shtesë sigurie. Një nga elementet e sigurisë që është kërkuar nga opozita është Watermark-u i personalizuar, sepse, sipas tyre, ky element jep garanci më të madhe se versioni që ka miratuar KQZ-ja. Një problem tjetër që Partia Socialiste ka për fletët e votimit janë logoja dhe stema e fletës së votimit. Përfaqësuesi i PS-së në Komision ka kërkuar që këto dy elemente të mos jenë bardhezi, por me ngjyra. KQZ-ja ka premtuar se në rast se fletët e prodhimit do të prodhohen në Shqipëri, përfaqësuesit e partive do ta kontrollojnë procesin që në prodhim.
19 Maj 2009