Presidenti Topi takon anëtarë të “WAZ Medien Gruppe”, pronarë të TV “Vizion plus”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim në Pallatin e Brigadave Dr. Matias Eshe, kryetar i “Bavaria Film Corp” dhe ekipin që e shoqëronte, Dr. Srgjan Kerim, ish-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe aktualisht anëtar i bordit të “WAZ Medien Gruppe” për rajonin, z. Rudigers Opers, Kryeredaktor i gazetës “NRZ” dhe z. Mihael Crener, anëtar i korporatës “WAZ Medien Gruppe”. Dr. Eshe e njohu presidentin Topi me punën e “Bavaria Film Corp” dhe vizionin mbi Shqipërinë në të ardhmen duke i paraqitur kryetarit të shtetit idetë e tyre për të investuar në Shqipëri, duke krijuar vende dhe studio xhirimi.
Nga ana e tij, presidenti Topi i falënderoi dhe i inkurajoi për iniciativën e ndërmarrë duke nënvizuar mbështetjen për programet e bashkëpunimit në fushën e hapësirave të reja kinematografike, sidomos për brezin e ri. Duke folur për rolin e mediave në përgjithësi, në kuadër të përfshirjes së “WAZ Medien Gruppe” si pronarë të TV “Vizion plus”, presidenti Topi nënvizoi nevojën që ka çdo vend për një media të pavarur si dhe rolin edukativ e sensibilizues që duhet të luajë në shoqëri. “Bavaria Film Corp” është një kompani gjysmëprivate e prodhimit të filmave në Gjermani dhe një nga më të mëdhatë në Europë, e krijuar që më 1 janar të vitit 1919, me një traditë të gjatë të prodhimit të filmave televizivë dhe serialë.
19 Maj 2009