E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjedhja e anëtarëve i detyron partitë të dorëzojnë listën në minutën e fundit

Ora 20:00, fotofinish për dorëzimin e kandidaturave në KQZ. Vetëm 5 parti të vogla dorëzojnë listat, mungojnë PS-ja dhe PD-ja

Ora 20:00 do të rikthejë radhët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas informacioneve të brendshme, deri dje në mbrëmje pranë këtij komisioni kanë dorëzuar listën vetëm pesë parti, PDS-ja, G99-a dhe tri parti të tjera. Dy forcat e mëdha politike dhe partitë e tjera i kanë lënë për t’i dorëzuar listat në momentin e fundit që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Frika se mos të pakënaqurit nga lista për deputetë do të largohen për të konkurruar me ndonjë parti tjetër, e ka detyruar Partinë Demokratike dhe atë Socialiste që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare në minutat e fundit të përfundimit të afatit ligjor, pra rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme.
Arsyeja
Shkaku që partitë politike nuk po i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve që do të konkurrojnë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit është që të mos lejohet regjistrimi i kandidatëve për ndonjë parti tjetër. Pjesa më e madhe e forcave politike do t’i dorëzojnë listat në momentet e fundit të afatit që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Të kontaktuar nga gazeta “Albania”, anëtarët e parive politike shprehen se listat me emrat e kandidatëve për deputetë janë pothuajse të përfunduara. Leonard Solis shprehet se partia ku ai bën pjesë e ka gati listën me emrat e kandidatëve, por publikimi i tyre do të bëhet në momentet e fundit. “Ne, dhe besoj edhe pjesa më e madhe e partive politike, do ta dorëzojmë nesër afër orës 20:00 listën e partive”,-u shpreh Solis. Sipas tij, në këtë mënyrë do të shmanget largimi i të pakënaqurve dhe regjistrimi i tyre në listat e partive të tjera. Dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, ende nuk i kanë çuar listat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dy partitë duket se do të presin afatin maksimal që përcakton ligji, ora 20:00 e ditës së sotme, për të bërë publik emrat e kandidatëve për të cilët do të kërkojnë votën e shqiptarëve më 28 qershor.
Partia Socialiste pritet të mbledhë shumë shpejt Kryesinë e saj, e cila do t’i japë dorën e fundit listës së emrave të propozuar nga strukturat socialiste në 12 qarqet e vendit. Edhe Partia Demokratike pritet që të bëjë dorëzimin e listave në momentin e fundit. Sot PD-ja do të mbledhë kryesinë e vogël, e cila do të vendosë për listën përfundimtare të kandidatëve të kësaj force politike.
Partitë e para
Partia Demokracia Sociale ka qenë e para që ka depozituar 140 emrat e kandidatëve. Kreu i kësaj force politike, Paskal Milo, do të kandidojë në qarkun e Vlorës. I dyti në këtë qark do të jetë Sazan Aliko. Për qarkun e Tiranës, në listën e PDS-së, do të jetë Artur Duçkollari. Në listë do të jenë edhe XH. Kacani dhe L. Ruci. Në qarkun e Fierit do të kandidojë Leonard Strati, në Korçë Silvana Xuhana dhe në Durrës Fadil Hoxha. Në qarkun e Shkodrës i pari në listë do të jetë Pashuk Masmalaj, kurse në atë të Lezhës Petraq Kalemi. Listat me kandidatët për deputetë i ka paraqitur edhe Partia Lidhja Demokristiane. Kryetari i kësaj partie, Nikollë Lesi, do të kandidojë në qarkun e Lezhës. Kreu i G99-s, Veliaj, do të udhëheqë listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës. Në këtë zonë Lesi ka qenë fitues për dy legjislaturat e fundit. Edhe dy partitë e tjera, Aleanca Kombëtare dhe Partia e Gjelbër, kanë depozituar emrat e kandidatëve në KQZ.
Afati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë 19 majin si ditën e fundit të regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare. Në Nenin 67 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se partitë politike duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputet 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Fillimisht KQZ-ja përcaktoi 18 prillin si datë të regjistrimit të kandidatëve, por më pas e ndryshoi atë. Arsyeja e shtyrjes së afatit është bërë pas një rillogaritje të ditëve. Afati i fundit i dorëzimit të listave të deputetëve nga partitë politike për zgjedhjet parlamentare u shty për ditën e sotme në orën 20:00. Në KQZ janë regjistruar 45 parti politike dhe 4 koalicione. Në vorbullën e 45 subjekteve të regjistruara në KQZ vetëm 24 prej tyre kanë hyrë në planet elektorale të Berishës, Ramës, Metës dhe Meksit.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›