EURALIUS: Sugjerojmë kufizimin e imunitetit për të gjithë zyrtarët”
Misioni i EURALIUS-it dhe OPDAT-i në Shqipëri i rekomandojnë Kuvendit të Shqipërisë që të realizojë kufizimin e imunitetit për të gjitha kategoritë e zyrtarëve në Shqipëri, pasi kjo do t’i shërbejë luftës serioze kundër korrupsionit. Por pavarësisht kësaj, EURALIUS dhe OPDAT sugjerojnë që të merren në konsideratë masat mbrojtëse të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm i kufizimit të imunitetit të tyre. “Ka një rëndësi maksimale që kjo të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të drejtpeshuar, duke u dhënë të gjitha palëve kohë të mjaftueshme për t’u dëgjuar. Në të njëjtën kohë që ndryshimet e Kushtetutës do të diskutohen gjerësisht, duhet të merren në konsideratë masat për mbrojtjen e deputetëve, gjyqtarëve dhe të tjerëve nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm dhe për rritjen e besimit të tyre në sistemin e drejtësisë si dhe në procedura objektive dhe të drejta”, - thuhet në letrën që shefi i misionit të EURALIUS-it, Roland Miklau dhe këshilltarja ligjore e OPDAT-it, Melisa Schraibman, u kanë dërguar deputetëve Bufi dhe Rusmaili, të cilët kryesojnë grupin e punës së Kuvendit për çështjen e kufizimit të imuniteteve.
Sugjerimet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it
1. Imuniteti duhet të kufizohet dhe të qartësohet, dhe kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një ose disa ligje, ose ndryshime ligjore nuk do të jenë të mjaftueshme. Janë të nevojshme ndryshime të Kushtetutës.
2. Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndërmerren vend e pa vend, por as nuk duhet të shmangen nëse kryhen nëpërmjet një procedure të kujdesshme dhe të drejtpeshuar, me këshillim të përshtatshëm dhe të gjerë. Duhet të ketë një plan të detajuar, duke
përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të Kodeve dhe Rregullores së Kuvendit.
3- Nuk mund të mohohet fakti që ky është një moment delikat në historinë moderne të Shqipërisë, me tensione dhe mungesë besimi ndërmjet institucioneve e madje edhe brenda tyre. Disa kanë shprehur mendimin se kjo nuk është koha e duhur për të trajtuar çështjen e imunitetit, veçanërisht për anëtarët e sistemit të drejtësisë, por ne mendojmë që një proces konsultimi i menduar dhe i zhvilluar mirë mund të përmirësojë gjendjen. Masat që ndërtojnë besim, si zyrtare ashtu edhe jozyrtare, gjithashtu mund të zhvillohen më tej dhe duhet të diskutohen si pjesë e procesit.
4. Kur bëhet fjalë për kufizimin e imunitetit, është tepër e rëndësishme që të gjitha teknikat e hetimit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollet, të jenë të lejueshme pa autorizim. Trajtimi i diferencuar i këtyre teknikave nuk do ta zgjidhte problemin.
8 Nentor 2008