E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS shprehet kundër gjykatave administrative

Komisioni i Ligjeve shtyn miratimin e projektligjit

Eljona Ballhysa

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka shtyrë dje miratimin e projektligjit për gjykatën administrative. Shkak është bërë kërkesa e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kërkuar që të njihen me rekomandimet e EURALIUS-it, misionit të asistencës së KE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Deputeti i PS-së, FatmirXhafaj, gjatë fjalës së tij i është referuar një dokumenti të hartuar nga EURALIUS në qershor të vitit 2006. Në këtë document, misioni europian nuk e sugjeron ngritjen e gjykatave administrative, pasi sipas dokumentit sugjerues të EURALIUS këto gjykata do të dobësonin rolin e gjykatave të tjera. Sugjerimi i Xhafës për t’u njohur me rekomandimet e EURALIUS-it u mbështet edhe nga deputetët e tjerë.

Diskutimi
Relatori i projektligjit, Spartak Braho, kritikoi faktin që atij nuk i ishin vënë në dispozicion të gjitha materialet në hartimin e relacionit të projektit. Ai gjithashtu kërkoi organizimin e seancave dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit, veçanërisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nga Konferenca e Gjyqtarëve. “Unë si relator i projektligjit në relacionin që kam përgatitur kam shkruar se parimisht jam dakord me draftin por unë nuk jam njohur me materialet e tjera. Ndaj kërkoj që të më vihet në dispozicion dokumenti i ndërkombëtarëve që të lexoj kritikat dhe të mbaj një qëndrim më të plotë”, - është shprehur Braho. Ndërsa ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë bënë të ditur se projekti është në përputhje me dokumentet e Këshillit të Europës, ndërkohë që shtoi se disa sugjerime të bërë nga ndërkombëtarët nuk janë marrë në konsideratë. Edhe kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, bëri të ditur se në momentin e fundit i ka ardhur një dokument nga Misioni EURALIUS në Tiranë, “që paraqet disa vërejtje konkrete që lidhen me nene të caktuara të projektit”. Projektligji për gjykatën administrative synon mbrojtjen e biznesit nga praktikat abuzive të administratës shtetërore. Ai parashikon shkurtimin e praktikës në gjykime brenda një afati kohor dymujor: përkatësisht një muaj në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe një muaj në Gjykatën e Apelit.

Rekomandimet
Në qershor të vitit 2006, Misioni EURALIUS në Tiranë në një dokument ka rekomanduar që të mos krijohet sistemi i gjykatave administrative. “Me qëllim që të përmirësohet organizimi i juridiksionit administrativ në Shqipëri, nuk rekomandohet as krijimi i një sistemi gjyqësor administrativ autonom që të mbulojë të gjitha shkallët e gjykimit dhe as krijimi i gjykatave administrative autonome në shkallë të caktuara të gjykimit. Në vend të kësaj, juridiksioni administrativ i shkallës së parë duhet të transferohet nga gjykatat e shkallës së parë në gjykatat e apelit, ku duhet të ngrihen dhomat e çështjeve administrative”, - bëhet e ditur në këtë dokument. Më tej, EURALIUS sqaron se, “gjendja e tashme e organizimit të juridiksionit administrativ nuk jep mundësi të mjaftueshme për specializimin e gjyqtarëve në të drejtën administrative. Numri i çështjeve administrative nuk mund të mbështesë më shumë se një gjykatë administrative të shkallës së parë; ai nuk është i mjaftueshëm për të krijuar ndonjë gjykatë administrative autonome në shkallët më të larta. Krijimi i gjykatave administrative autonome do të kishte një efekt të ulët dobësues për gjykatat e zakonshme në nivelin e gjykatës së rrethit, ndërsa kjo do të kishte një ndikim shumë të madh në nivelin e gjykatave të apelit”.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›