E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: “Çmimet e mallrave të konsumit po ruajnë stabilitet”



Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor arriti 101.26 për qind, duke shënuar kështu një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Specialistët e INSTAT-it thanë dje se indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 0.1 për qind me një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 3.3 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate, përfshirë patatet" dhe këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecave me mbi 50 për qind, patellxhaneve me 49.2 për qind, specave me 39.1 për qind, etj. Sipas INSTAT-it, çmimet e disa zarzavateve të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, si spinaqi 16.8 për qind, sallata jeshile 11.8 për qind, lulelakra 25.8 për qind, etj. Edhe indeksi në nëngrupin “Fruta” shënoi një ulje prej 3.8 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të portokallëve me 14.6 për qind, kivit me 11.5 për qind, mandarinave me 9.2 për qind, limonave me 4.8 për qind, mollëve me 4.3 për qind, etj. Gjatë muajit nëntor, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet "Peshk" me 1.6 për qind, "Mish" 0.3 për qind, etj. Po kështu, indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.6 për qind, me një ndikim prej 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor, ndërsa indeksi i grupit "Pije alkoolike dhe duhan" shënoi një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u ul me 0.3 për qind.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›