E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i BSH-së: Tregtia, i vetmi sektor që gjeneron para në ekonominë e vendit

Ky sektor zë numrin më të lartë të të punësuarve. Rritja e tregtisë llogaritet në 11 për qind kundrejt 2007-s

Ervin Koçi

Sektori i tregtisë dhe kryesisht i asaj me pakicë, sidomos për mallrat e konsumit, është pjesa më vitale e ekonomisë që gjeneron dhe qarkullon sasinë më të madhe të parave brenda vendit. Ky sektor zë edhe peshën më të madhe përsa i përket nivelit të të punësuarve në sektorin privat, pasi në të janë të punësuar një numër mjaft i madh shqiptarësh që në të kundërt do të dilnin si të papunë. Një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimin e tregtisë dhe peshën që zë ajo në ekonominë e vendit tregon se tregtia mban peshën kryesore në vëllimin total të qarkullimit të parasë në ekonominë e vendit. Sipas raportit të BSH-së, “tregtia ka vazhduar të japë ndikimin e vet pozitiv në ekonominë shqiptare edhe gjatë vitit 2008, si dhe do të zërë një peshë të rëndësishme edhe gjatë vitit të ardhshëm”. BSH-ja thekson në raportin e saj se rritja në këtë sektor llogaritet në 11 për qind kundrejt vitit 2007. Por krahas këtij sektori, tendencë pozitive paraqesin në ecurinë e shitjeve edhe shërbime të tjera ku spikasin shërbimet financiare dhe transaksionet në pasuritë e paluajtshme. Në raportin e BSH-së vihet re se shitjet e sektorit të industrisë dhe të atij të transportit kanë shfaqur shenja ngadalësimi gjatë këtij viti.

Deficiti tregtar

Deficiti tregtar është thelluar gjithmonë e më shumë duke arritur maksimumin në 9 muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga BSH-ja, deficiti ka arritur në 1 miliard dollarë deri në fund të muajit shtator, një rritje kjo me 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Tregu vendas është mbytur nga importet, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve. Sipas BSH-së, arsyet kryesore të thellimit të deficitit tregtar janë rritja e çmimit të mallrave si dhe rënia drastike e dërgesave të emigrantëve. Shumica e shqiptarëve janë mbajtur deri tani me paratë e emigrantëve jashtë vendit, por me kalimin e kohës bashkimi familjar jashtë vendit, si dhe largësia, kanë bërë që ato të bien në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit të fundit. Gjithashtu, importet e karburanteve arritën vlerën e 210 milionë eurove, një rritje kjo me 50 për qind krahasuar me vitin 2007, ndërkohë që të ardhurat nga emigrantët arritën në 623 milionë euro, rreth 13 për qind më pak se një vit më parë. Muajin e kaluar, Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2009, duke ulur deficitin buxhetor nga 5.2 për qind në 4.2 për qind, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar nivelin 3.5 për qind.

Shkëmbimet tregtare

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me botën gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008 shënuan një vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh, duke qenë rreth 18 për qind më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas BSH-së, në raportin e publikuar “Mbi tregtinë e jashtme”, shpenzimet për importin e mallrave shënuan vlerën 2,547 milionë euro, ndërkohë që të ardhurat nga eksporti i mallrave arritën në 708 milionë euro. Në raportin e saj, BSH-ja vëren se të ardhurat nga eksporti i mallrave kanë mbuluar rreth 28 për qind të importeve, një raport ky i krahasueshëm me atë të vitit të kaluar. Ndërkohë, rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17 për qind, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së importeve, Banka Qendrore vlerëson rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Sipas BSH-së, importi për përpunim aktiv ka shënuar një rritje vjetore prej 7 për qind gjatë 9 muajve të këtij viti, ndërkohë që pesha e kësaj kategorie importesh ndaj vlerës së përgjithshme të importeve është 12 për qind.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›