E Diel, 1 Nëntor 2026

Paris, mediat akuza Bashkisë për mungesë sigurie në muze



Bashkiaku i Parisit e ka mbrojtur sistemin dhe masat e sigurisë në Muzeun e Artit Modern të kryeqytetit të Francës, pas publikimit të një raporti, i cili e ka vlerësuar si “lehtësisht të sulmueshëm” muzeun. Veprat e artit në këtë muze nuk janë të siguruara nga kompanitë e sigurimit deri në momentin që shiten dhe dalin nga muzeu, kështu që përgjegjësia dhe kostoja e pikturave të vjedhura janë në kurriz të Bashkisë së Parisit. Raporti, i cili ishte përpiluar që në vitin 2007 nga i ngarkuari për sigurinë në atë periudhë për këtë muze, erdhi për publikun 10 ditë pasi kryeveprat nga Matisse, Picasso dhe të tjerë u vodhën, duke shënuar një prej vjedhjeve më të mëdha të artit në historinë e Francës. Bashkia pranoi javën e kaluar se kishte probleme me sistemin e alarmit në Muzeun e Artit Modern, se ai pjesërisht nuk funksiononte që prej muajit mars. Kjo mundësoi goditjen 100 milionë eurosh që bëri një njeri i vetëm, duke marrë fare lehtë pesë piktura me vlerë nga ky muze. Në raportin e publikuar në gazetën “Le Parisien”, Inspektorati komunal kishte vlerësuar se muzeu ishte “veçanërisht i cenueshëm” dhe “nevojiteshin metoda moderne për mbrojtjen e veprave të artit, të cilat praktikisht nuk përdoren”. Mediat kanë komentuar se shkak për vjedhjen spektakolare u bë mungesa e fondeve për sigurinë që kërkoheshin prej më shumë se dy muajsh nga drejtuesit e muzeut. Duke u kundër përgjigjur ndaj raportit dhe artikullit të “Le Parisien”, bashkiaku, Bertrand Delanoe tha se, pas raportit të vitit 2007, ishin mundësuar 10 milionë euro për këtë muze dhe për standardet e tij të sigurisë. Një njësi elite e policisë franceze po heton mbi vjedhjen e këtij muaji dhe Interpoli ka rritur gatishmërinë në 188 vendet e tij anëtare. Ndërkohë u vendos që Muzeu i Artit Modern në Paris do të rihapet më 10 qershor për herë të parë që pas vjedhjes së pesë veprave me vlerë 100 milionë euro. Edhe pse një institucion që tërhiqte pjesën më të madhe të turistëve që vinin pranë kullës Eiffel, muzeu u kyç pas vjedhjes së 20 majit, një vjedhje e kryer nga një njeri i vetëm, i cili besohet se ka hyrë duke thyer vetëm një xham dritareje dhe një dry. Në ditën e hapjes së muzeut, brenda tij do të paraqitet një ekspozitë me punët më të mira të artistëve të rinj francezë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›