E Diel, 1 Nëntor 2026

EUROSTAT: “Bie inflacioni me 1.1% në BE, reflektimi pritet edhe në Shqipëri”



Frankfurt - Inflacioni në Eurozonë ka pësuar dje rënien më të madhe që prej hedhjes së euros në qarkullim, të paktën një dekadë më parë. Kjo gjë rrit edhe më shumë shanset që Banka Qendrore Europiane të ulë akoma normën bazë të interesit të euros në takimin e javës së ardhshme. Inflacioni vjetor në 15 vendet e Eurozonës ka rënë nga niveli 3.2 për qind në muajin tetor, në 2.1 për qind në muajin nëntor, sipas të dhënave të Eurostat-it. Ky është niveli më i ulët që prej muajit gusht të vitit 2007. Eurozona është aktualisht në recesion ekonomik- papunësia është rritur me shpejtësi në të gjithë kontinentin. Papunësia është rritur deri në nivelin 7.7 për qind të forcës punëtore në tetor, nga 7.6 për qind që ishte një muaj më parë. Franca dhe Spanja kanë raportuar një rritje të madhe të papunësisë, ndërkohë që në Gjermani papunësia është në të njëjtat nivele, 7.1 për qind. Që prej muajit tetor, BQE-ja ka ulur dy herë normën bazë të interesit ë euros deri në nivelin aktual 3.25 për qind. Por ekonomistët parashikojnë edhe një rënie tjetër në takimin e ardhshëm të BQE-së. Banka pretendon të mbajë nivelin bazë të inflacionit nën 2 për qind, por jo më pak se 1.5 për qind. Inflacioni në Eurozonë pritet të bjerë edhe më shumë në vitin 2009, pas rënies që kanë pësuar çmimet e naftës, dhe ekonomistët thonë se nuk është çudi që inflacioni të bjerë edhe nën nivelin zero për qind. Ndërsa anëtarët e BQE-së shohin pak rrezik deflacioni, një rënie e përgjithshme e çmimeve, që ka efekte të këqija mbi ekonominë.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›