Festat e Nëntorit, nuk rriten çmimet e ushqimeve, por bie numri i blerësve
Çmimet e ushqimeve rriten vetëm me 1.0 për qind. Me fuqinë blerëse ulen dhe shpenzimet për udhëtime
Ervin Koçi
Festat e Nëntorit, këtë vit, ndryshe nga ç’pritej, nuk kanë ardhur me një rritje marramendëse çmimesh për artikujt e konsumit, por kanë sjellë një ulje të blerësve. Shumë sektorë të tregtisë, por më kryesisht tregjet e artikujve ushqimorë, ndryshe nga një vit më parë, këtë herë janë përballur me një fluks më të ulët konsumatorësh, në një kohë që këtë rënie të fuqisë blerëse e kanë ndjerë edhe dyqanet e veshjeve, të dhuratave dhe restorantet. Sipas një studimi të Institutit të Studimeve Ekonomike, fundi i nëntorit ka ardhur me një rënie të nivelit të konsumit dhe të fuqisë blerëse për të gjithë artikujt, por më kryesisht për ato të konsumit. Nisur nga ky raport shikojmë se konsumatorët shqiptarë për këto festa nuk janë kujtuar që të bëjnë shpenzime ekstra, por edhe dita e djeshme (28 nëntor) ka qenë e njëjtë me ditët më të zakonshme të muajit. Raporti vë në dukje edhe vijimësinë e sondazhit që nga fillimi i muajit nëntor, ku sipas të dhënave, asnjë nga restorantet dhe lokalet e kryeqytetit nuk kishin raportuar për prenotime të mundshme në ditët e Festave të Nëntorit. Raporti vë theksin edhe te tregtia me shumicë, sipas të cilit, “asnjë nga grosistët e artikujve të konsumit, apo dhe ata të produkteve bujqësore, nuk kanë bërë furnizime ekstra apo porosi speciale për mallra gjatë këtij fund nëntori”. Nga të dhënat e marra direkt në tregjet e fruta-perimeve dhe ato ushqimore të shumicës në kryeqytet, sipas raportit thuhet se tregtarët pohojnë se është po ai nivel shitjeje si në ditët më normale dhe nuk është vërejtur asnjë lloj rritjeje në konsum, në një kohë që çmimet e zarzavateve nuk janë rritur, pasi akoma tregu po furnizohet nga produkti i fermave dhe serave vendase.
Bie blerja e simboleve kombëtare
Ndryshe nga çfarë ndodh në rastet e festive të tjera, kur shqiptarët blejnë me tepri, ditën e përvjetorit të Pavarësisë shitjet e artikujve me simbole kombëtare apo suvenireve të tilla janë të pakta. Tregtarët thonë se “shitjet e këtyre artikujve kanë qenë gjithnjë të pakta edhe vitet e tjera, por ky vit ka shënuar uljen më të madhe”. Sipas tyre, qytetarët vazhdojnë të mbeten indiferentë në përvjetorin e pavarësisë dhe të vetmit që blejnë suvenire të tilla janë klientë të pakët nga Kosova, apo më rrallë ndonjë turist i huaj. Blerësit e artikujve dhe suvenireve me simbolet kombëtare, sipas tregtarëve, në shumicën e rasteve, janë shtetas të huaj ose emigrantë shqiptarë të cilët i blejnë si dhurata. Por, përveç blerjeve të simbolikave kombëtare, këtë vit gjatë Festave të Nëntorit raporti ekonomik vëren edhe një ulje të programimit të kryeqytetasve për t’i kaluar këto festa jashtë Tiranës. “Numri i atyre që kanë programuar të largohen nga kryeqyteti apo edhe për jashtë shtetit është minimal në krahasim me një vit më parë”, - thuhet në raportin ekonomik.
Tregu vendas
Rënia e inflacionit në Eurozonë pritet të reflektohet edhe në Shqipëri, për sa kohë që 80 për qind e flukseve tregtare kryhen me vendet e Eurozonës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në një takim të ditëve të fundit është shprehur se “ulja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve dhe e lëndëve të para ka ndikuar në lehtësimin e presioneve inflacioniste në ekonomitë e Eurozonës”. Sipas Fullanit, ulja e çmimeve të konsumit pritet të vazhdojë edhe në muajt pasardhës, duke bërë që fokusi i politikave monetare të zhvendoset drejt evitimit të situatave deflacioniste dhe nxitjes së rritjes ekonomike. Në një përpjekje për të lehtësuar presionet në tregje dhe për t’i përshtatur më mirë kushtet monetare me tablonë e presioneve të reduktuara inflacioniste, bankat kryesore qendrore, përfshirë Rezervën Federale, Bankën Qendrore Europiane dhe Bankën e Anglisë, ulën normën bazë të interesit në një lëvizje të koordinuar, në datën 8 tetor 2008. Pas kësaj, këto banka ulën përsëri normat përkatëse të interesit; Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Europiane me nga 50 pikë bazë, ndërsa Banka e Anglisë, në një lëvizje më agresive, me 150 pikë bazë.
Inflacioni në Shqipëri
Pas rritjes në 6-mujorin e parë të vitit përtej kufirit të tolerancës prej 4 përqindësh, rritja vjetore e çmimeve të konsumit në 3-mujorin e tretë rezultoi 3.0 për qind, duke qenë tërësisht në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie edhe në muajin tetor, duke zbritur në 2.7 për qind. “Ulja e normës së inflacionit në këtë periudhë është nxitur nga qetësimi i goditjeve të ofertës agregate, në formën e çmimeve të larta të ushqimeve, të naftës dhe të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar”, - tha guvernatori Fullani. Sipas tij, treguesit më specifikë të prirjeve inflacioniste, siç është inflacioni bazë, tregojnë se balancat makroekonomike në vend dhe kushtet monetare kanë qenë të përshtatshme për të garantuar një normë inflacioni afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë.
29 Nentor 2008