E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj, 100 mijë euro e çojnë te Dinamo

Mesfushori sulmues i Partizanit ka idhull italianin Antonio Kasano. Gjatë merkatos së verës Tirana bleu për 90 mijë euro Gjergji Muzakën

Elis Bakaj, një nga talentet e spikatura të shkollës së Partizanit dhe një nga shpresat e Kombëtares shqiptare, nga muaji janar do të veshë bluzën e Dinamos gjatë merkatos dimërore. Marrëveshja midis dy presidentëve, Albert Xhanit (Partizani) e Besnik Sulajt (Dinamo), është arritur dhe shuma që do të arkëtohet nga klubi i kuq është 100 mijë euro, më e madhja e realizuar në transferimet e merkatos shqiptare. Në merkaton e verës, Partizani, edhe pse i largoi thuajse të gjithë lojtarët cilësorë të tij, duke filluar nga Paulin Dhembi (tashmë të Vllaznia), Blendi Shkëmbi (Skënderbeu), Gjergji Muzaka, Tefik Osmani, Bledar Devolli (të tre te Tirana), Arbër Abilaliaj (Besa), ishte klubi i vetëm që arriti të shesë kundrejt një pagese të caktuar lojtarët e tij. Mbrojtësi Osmani u shit për 40 mijë euro te Tirana, e pak javë pas tij mesfushori sulmues Gjergji Muzaka u transferua për shumën e 90 mijë eurove. Sulmuesi Arbër Abilaliaj kaloi te Besa dhe presidenti Nexhat Bizhdili pagoi 20 mijë euro. Elis Bakaj nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me kampionët në fuqi. Te Dinamo, ish-kapiteni i ekipit Shpresa do të gjejë një njohje të vjetër, mesfushorin shkatërrues Igli Allmuça, edhe ky një prodhim i pastër i shkollës së Partizanit, por që prej dy sezonesh luan me blutë, pas një kampionati të zhvilluar me Tiranën (ku doli dhe kampion në sezonin 2005-2006). Elis Bakaj, i cili jo në pak raste ka bërë kritika ndaj drejtuesve të klubit në lidhje me blerjen e lojtarëve brazilianë. 22-vjeçari, që mban dhe rekordin si lojtari në moshën më të re në një ndeshje ndërkombëtare, ajo Partizani-Dacia Kishinau (Moldavi) për Kupën Intertoto (korrik 2003), nuk ka realizuar asnjë gol gjatë 12 ndeshjeve të para të këtij, kur gjatë kampionatit të kaluar ai shënoi 11 gola.
Gjatë verës, Elis Bakaj hodhi poshtë mundësinë e transferimit te skuadra qipriote, Ethnikos Aknas, edhe pse pranoi se kishte marrë një ofertë për të. Mesfushori i avancuar i Partizanit pohoi se për të interesohej skuadra zvicerane Young Boys, një ekip rus (emri nuk u bë i ditur), teksa befasisht u fol edhe për gjermanët e Verder Bremenit. Në verën e vitit 2006 Bakaj u bashkua për pak ditë edhe me skuadrën greke të Janinës. 22-vjeçari është thirrur nga dy trajnerët e fundit të Kombëtares, kroati Oto Bariç e Ari Han, teksa është aktivizuar disa minuta në ndeshjen zyrtare kundër Rumanisë, të humbur 6-1 në Bukuresht.
"Kam shkuar shumë i vogël te ekipet e moshave të Partizanit, 10 vjeç, dhe si trupvogël që isha, qeshnin kur bëja gola në ato ndeshje me fushë të vogël. Trajneri im i parë ka qenë Gazmend Kraja, më pas Perlat Musta, për pak kohë, Neptun Bajko dhe me radhë, Sulejman Mema, Sulejman Starova dhe tani Hasan Lika". Kështu është shprehur para pak kohësh Elis Bakaj, teksa te Dinamo do të gjejë trajnerin kroat, Zllatko Daliç.
Kë futbollist ka idhull Bakaj? “Italianin Antonio Kasano. E pëlqej si futbollist, dhe jo për kokëfortësinë e tij dhe karakterin e vështirë që ka. Shikoj shumë ndeshje në videokaseta dhe pëlqej të imitoj Kasanon si vrapon në fushë, si godet topin”, - pohoi gjatë një interviste të mëparshme për gazetën “Albania”.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›