OSSH-ja, gati 51 milionë euro për importin e energjisë për janar-marsin e 2009-s
Rreth 51 milionë euro do të dalin nga arka e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në mënyrë që të sigurojë furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike. Sasia e planifikuar që do të blihet me anë të tenderit është rreth 570 mijë megavat/h, e cila do të konsumohet për periudhën janar-mars 2009. Ky është tenderi i dytë që zhvillohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që për çështje ditësh pritet të drejtohet nga kompania çeke "CEZ". Njoftimi i bërë dje publik nuk saktëson se për cilin treg i referohet OSSH-ja, duke qenë se modeli i ri, i miratuar nga Enti Rregullator, nuk lejon blerje të energjisë nga importi për aq kohë sa kjo e drejtë i njihet vetëm KESHGEN (Furnizuesi Publik me Shumicë). Ndërkaq, vlera monetare konsiderohet e lartë, duke qenë se do të mundësojë import vetëm për tre muajt e parë të vitit. Nga ana tjetër, Ministria e Energjetikës paralajmëron probleme me furnizimin e dritave për muajt në vijim, duke u nisur nga vëllimi i ulët i reshjeve, duke reflektuar në prurjet e ujit në HEC-e në nivele 20-30 metra kub. Nga të dhënat e tenderit, që zhvillohet në mesin e muajit dhjetor ‘08, shikohet se për janarin OSSH-ja ka kërkuar sasinë më të madhe, 212.040 MW/h, me vlerë limit 19.069.477 euro. Ndërkohë, kufizimet në vend janë bërë më të shpeshta, kjo falë edhe mbingarkesës në rrjet, duke sjellë stakimin e linjave të amortizuara.
Bode: “KESH-i do të marrë 4 miliardë lekë nga OSSH-ja”
Tashmë, kur procesi i privatizimit të 76 për qind të aksioneve të OSSH-së ndodhet në ditët e fundit, qeveria po shikon të përmirësojë situatën financiare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH-GEN). Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në Kuvend se një pjesë e të ardhurave nga privatizimi i OSSH-së do të shkojnë për KESH-in, me synim përmirësimin e situatës financiare të tij. Duke folur për projektbuxhetin 2009, ministri Bode saktësoi se qeveria do të vërë në dispozicion të KESH-it rreth 4 miliardë lekë fonde që do të përdoren për vitin 2009. "Qeveria i ka dhënë garanci nga limitet e saj për kredi tregtare KESH-it edhe 4 miliardë lekë të tjera për blerje energjie. Pra, në total do të jenë rreth 8 miliardë lekë që do të mbështesin përmirësimin e situatës financiare të KESH-it, në mënyrë që energjia të mos mungojë", - tha ministri Bode. Këto fonde do të sigurohen nga të ardhurat e privatizimit të OSSH-së, ku qeveria arriti ta shesë për rreth 11 miliardë lekë.
29 Nentor 2008