Gjyqtarët në lupë, gabimet ndëshkohen
Janë dhjetë gjyqtare që gjykojnë në Kategorinë Superiore. “Në janar, në bazë të gabimeve të bëra, do të ndryshohet lista e gjyqtarëve në dy kategoritë. Ato që kanë gjykuar më mirë dhe pa gabime në Kategorinë e Parë do të ngjiten për të gjykuar ndeshjet e Superiores dhe anasjelltas", – është shprehur para pak ditësh shefi i Sektorit të Garave, Ilir Shulku. “Xhaketat e zeza” gjithmonë kanë qenë në fokusin e akuzave të presidentëve apo trajnerëve, dhe në jo pak raste ata kanë kryer të ashtuquajturat “gabime njerëzore”. Nuk ka pasur javë apo edhe ndeshje ku ata nuk janë akuzuar. Disa prej tyre janë ndëshkuar nga Sektori i Garave. Tashmë, kur kampionati ka ravijëzuar dy grupime të mëdha skuadrash, ato që luftojnë për zonën europiane dhe ato për mbijetesë, “bilbilat” shqiptarë, qofshin ata ndërkombëtarë apo dhe më të thjeshtë, ndodhen në lupën e krerëve të Federatës Shqiptare, stafeve teknike dhe drejtuesve të klubeve.
Elbasani-Flamurtari, ndeshja hapëse e javës së 13-të e Kategorisë Superiore, do të gjykohet nga arbitri ndërkombëtar Sokol Jareci. Takimi do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Në ndeshjen e fazës së parë, Elbasani fitoi 1-0 në Vlorë falë golit të Erjol Merxhës në minutën e 92-të. Elbasani vjen në përballjen me vlonjatët e drejtuar tani jo më nga kroati Slavko Kovaçiç, por nga Edmond Liçaj pas dy barazime në transfertë 2-2: me Partizanin në kryeqytet dhe Apoloninë në Fier. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në shtëpi, Elbasani fitoi me Tiranën 1-0, falë golit të Oriand Abazajt. Flamurtari mbërrin në përballjen me verdheblutë e Mirel Josës pas fitores së pastër me Besën (2-0). Gjyqtari tjetër shqiptar me stemën e FIFA-s, Albano Janku, pas pushimit një javë më parë (u aludua në shtypin sportiv edhe si një ndëshkim, për shkak të një penalltie të padhënë në favor të Partizanit), do të gjykojë takimin jo të lehtë Tirana-Teuta, ku nga rezultati i saj do të varet edhe fati i trajnerit kroat të bardhebluve, Bllazhe Slishkoviç. Tirana fitoi në fazën e parë kundër Teutës me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të Migen Memellit. Ndeshja tjetër tërheqëse, ajo midis Vllaznisë e Partizanit, do të gjykohet nga arbitri i kolegjiumit të Tiranës, Artan Taullahu. Në takimin e fazës së parë, Vllaznia fitoi në “Qemal Stafa” 2-1. Partizani nuk po kalon një moment të mirë, sidomos në realizimin e golave, vetëm 6 gola në 12 javë (sulmi më i dobët në kampionat), teksa Vllaznia në 12 javë ka realizuar trefishin e të kuqve, 18 gola (sulmi më i mirë në kampionat).
E shtuna ofron edhe derbin myzeqar Lushnja-Apolonia, takim që do të gjykohet nga gjirokastriti Tanush Latifi. Ndeshja e parë në Fier u fitua 2-0 nga Apolonia, por në sfidën e “Roza Haxhiut” në bankinat respektive nuk do të jenë as Saimir Malko te Lushnja (tashmë i zëvendësuar nga Vasil Bici) dhe as Gerti Haxhiu te Apolonia (tashmë i zëvendësuar nga serbi Esad Karishik). Në javën e 12-të Lushnja barazoi në Tiranë me Partizanin, ndërsa Apolonia barazoi me Elbasanin. Dita e diel ka në program dy ndeshje, që kanë brenda tyre edhe pak hakmarrje, kjo për shkak edhe të rezultateve të fazës së parë.
Shkumbini-Dinamo, sfidë që vë përballë dy skuadra që ndajnë vendet 3-4 me vetëm një pikë diferencë, do të jetë në “bilbilin” e Lorenc Jeminit. Takimi i fazës së parë u fitua nga Dinamo me rezultatin e bujshëm 3-1.
Evis Peza, shumë herë i kontestuar në këtë kampionat, do të jetë “xhaketa e zezë” e çiftit Besa-Bylis. Një ndeshje që kërkohet të fitohet me çdo kusht nga kavajasit, që vijnë në përballjen me balshiotët pas dy humbjeve rresht në kampionat. Për takimin e parë të fituar nga Besa me rezultatin 3-2 (një përmbysje rokamboleske e disavantazhit 0-2) lëshuan jo pak akuza në drejtim të gjyqtarit vlonjat, Aranit Lulaj.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 13
E shtunë, 29 nëntor
Elbasani-Flamurtari (Jareci)
Faza 1: 1-0
Lushnja-Apolonia (Latifi)
Faza 1: 0-2
Vllaznia-Partizani (Taullahu)
Faza 1: 2-1
Tirana-Teuta (Janku)
Faza 1: 1-0
E diel, 30 nëntor
Shkumbini-Dinamo (Jemini)
Faza 1: 1-3
Besa-Bylis (Peza)
Faza 1: 3-2
RENDITJA PAS JAVËS 12
SKUADRA PIKË F B H GSH GP
1 Tirana 23 6 5 1 13 6
2 Vllaznia 22 6 4 2 18 10
3 Shkumbini 19 5 4 3 16 11
4 Dinamo 18 4 6 2 12 7
5 Elbasani 17 4 5 3 10 9
6 Teuta 17 4 5 3 8 7
7 Flamurtari 16 4 4 4 9 9
8 Besa 16 4 4 4 9 11
9 Bylis 15 4 3 5 9 12
10 Apolonia 12 3 3 6 11 16
11 Partizani 8 1 5 6 6 13
12 Lushnja 8 2 2 6 7 17
BILANCI I SKUADRAVE
SHKUMBINI- DINAMO
Bilanci: 36 ndeshje; 7 fitore Shkumbini, 9 barazime, , 20 fitore Dinamo. Golat: 23-51
TIRANA-TEUTA
Bilanci: 144 ndeshje; 72 fitore Tirana, 34 fitore Teuta, 38 barazime. Golat: 227-122
BESA-BYLIS
Bilanci: 10 ndeshje; 2 fitore Besa, 3 barazime, 5 fitore Bylis Golat: 10-14
VLLAZNIA-PARTIZANI
Bilanci: 131 ndeshje; 39 fitore Vllaznia, 33 barazime, 59 fitore Partizani. Golat: 134-185
ELBASANI-FLAMURTARI
Bilanci: 119 ndeshje; 46 fitore Elbasani, 29 barazime, 44 fitore Flamurtari. Golat: 137-139
LUSHNJA- APOLONIA
Bilanci: 39 ndeshje; 11 fitore Lushnja, 11 barazime, 17 fitore Apolonia. Golat: 36-49
Temesh 5 javë
Menik 11 javë
Abdiaxh 8
Slishkoviç 12
Projekti
Shqipëria, tetë stadiume me ndriçim
“Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, “Niko Dovana” në Durrës, “Flamurtari” në Vlorë, “Skënderbeu” në Korçë, “Besa” në Kavajë dhe “Roza Haxhiu” në Lushnjë janë dhe stadiumet fatlume që do të përfitojnë nga një projekt me një kosto fillestare prej 1.5 milionë eurosh. Jo vetëm “Qemal Stafa” në Tiranë dhe “Loro Boriçi” në Shkodër do ta kenë luksin e të pasurit projektorë ndriçimi, por edhe gjashtë stadiume të tjera do të kenë luksin të instalojnë brenda vitit të ardhshëm (2009) impiante ndriçimi. Një deklaratë e tillë është ripërsëritur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për televizionin “Alsat”.
Sipas bosit të topkëmbës shqiptare “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, “Niko Dovana” në Durrës, “Flamurtari” në Vlorë, “Skënderbeu” në Korçë, “Besa” në Kavajë dhe “Roza Haxhiu” në Lushnjë janë dhe stadiumet fatlume që do të përfitojnë nga një projekt me një kosto fillestare prej 1.5 milionë eurosh dhe do të financohet nga FSHF-ja, FIFA e UEFA si dhe pushtetet vendore. Sipas presidentit të FSHF-së, janë nënshkruar kontratat me pushtetet lokale. Në projektet e FSHF-së për vitin 2009 është edhe ndërtimi i 12 fushave stërvitore me bar artificial, një projekt që shkon deri në 3.4 milionë euro.
28 Nentor 2008