E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasifikimi i bankave, BKT vlerësohet me notën “AAA (Alb)”

 

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është vlerësuar me superlativa nga JCR Eurasia Rating. Kjo e fundit pasi ka skanuar bilancet e BKT-së ka arritur në konkluzionin, se kjo bankë ka financa goxha të forta në Shqipëri. Konkretisht JCR Eurasia Rating (JCR-ER) ka vlerësuar Bankën Kombëtare Tregtare me notën 'AAA (Alb)' dhe me një situatë "të qëndrueshme" në terma afatgjatë në nivel kombëtar, që tregon nivelin më të lartë të investimit. Në të njëjtën kohë, JCR Eurasia Rating ka vlerësuar Republikën e Shqipërisë me notën 'BB+' në terma afatgjatë dhe me 'B' në terma afatshkurtër. Të gjitha vlerësimet tregojnë një situatë "të qëndrueshme". JCR Eurasia Rating është filiali Euro-aziatik i Agjencisë Japoneze të Vlerësimit, një nga agjencitë më prestigjioze të vlerësimit në botë. Vlen të përmendet fakti, se është hera e parë, që kjo agjenci jep një vlerësim të tillë për një institucion shqiptar. 'AAA (Alb)' është nota më e lartë e mundshme brenda një tregu vendas dhe tregon, që BKT është institucioni bankar më i besueshëm dhe më i fortë financiarisht në Shqipëri. JCR-ER ka vërejtur që Banka Kombëtare Tregtare zotëron 13.4 për qind të tregut dhe ka një rritje mesatare prej 40 për qind gjatë dy viteve të fundit, përqindje kjo më e larta në treg, ndërkohë që pritet të vazhdojë një rritje të tillë edhe në të ardhmen e afërt. Banka Kombëtare Tregtare ka një numër të konsiderueshëm degësh në të gjithë vendin. BKT është një bankë tregtare me shërbime të plota bankare dhe renditet si banka e dytë më e madhe në Shqipëri. BKT u ofron shërbime bankare sektorit publik, kompanive private dhe individëve. E themeluar si një bankë shtetërore në vitin 1993, BKT përfundoi procesin e privatizimit në vitin 2000. Çalik-Seker Consortium (60 për qind), (20 %) Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Korporata Ndërkombëtare Financiare (20 %) janë aksionarët aktualë të bankës. Viti 2006 filloi me një faqe të re për BKT. Me të marrë aprovimin nga Banka e Shqipërisë dhe vendimin e posaçëm gjyqësor, më 9 qershor 2006 u miratua transferimi i aksioneve, që konsistonte në kalimin e 60% + 2 të aksioneve të BKT në favor të  Çalik-Seker Konsorsiyum Yatirim A.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›