Zjarr në fabrikë, humb jetën nga asfiksia roja i objektit
Viktima është gjetur i vdekur në kabinën ku ai po qëndronte, teksa po përpiqej që të dilte dhe t’u shpëtonte flakëve
Një person ka humbur jetën nga asfiksia si pasojë e një zjarri të rënë ditën e djeshme në një fabrikë këpucësh në Tiranë. Viktima, Zenel Hoxha, 52 vjeç, nuk ka arritur që t’u shpëtojë flakëve, duke humbur kështu jetën. Ai ishte roje e objektit në fabrikën “Filantom”. Nga hetimet e kryera shkak i rënies së zjarrit ka qenë një furnelë elektrike, të cilën 52-vjeçari e mbante për t’u ngrohur. Vendndodhja afër rezistencës dhë përgjumja kanë bërë që ai të mos ndiejë që rrobat aty pranë po digjeshin. Ka qenë kolegu i tij, ai që ka parë flakët dhe ka lajmëruar forcat zjarrfikëse për zjarrin e ndodhur. Vatra e zjarrit ka qenë vetëm në kabinën ku ai qëndronte, duke shmangur kështu përfshirjen në flakë të gjithë godinës. Punonjësit e zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke shuar flakët dhe shmangur rrezikun.
Ngjarja
Rreth orës 7 e 20 minuta forcat e shërbimit zjarrfikës kanë marrë njoftimin se fabrika e këpucëve “Filantom” në Laprakë në rrugën “Don Bosko” ishte përfshirë nga flakët. Menjëherë aty kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Si pasojë e flakëve, mbeti i vdekur roja i objektit, i cili nuk ka arritur që t’u shpëtojë flakëve. Viktima Zenel Hoxha, 52 vjeç, ishte babai i tre fëmijëve.
Ka qenë kolegu i tij, i cili ishte duke marrë turnin, që ka parë flakët dhe ka lajmëruar menjëherë shërbimin zjarrfikës dhe forcat e policisë të komisariatit nr. 3. Vatra e zjarrit ka qenë e përqendruar në kabinën ku ndodhej viktima dhe shuarja në kohë e tyre ka bërë që flakët të izolohen në kohë, duke shmangur kështu djegien e fabrikës dhe dëmet materiale. Brenda në kabinën e rojës, zjarrfikësit kanë gjetur 52-vjeçarin.
Hetimi
Sipas hetimeve paraprake, vatra e zjarrit ka qenë pikërisht kabina ku qëndronte roja. Viktima ishte duke përdorur një rezistencë elektrike, e cila ka qenë pikërisht shkaktarja e rënies së flakëve. Rrobat e tij kanë marrë flakë, duke bërë që roja i objektit të humbte jetën. Nga hetimet paraprake është mësuar se roja ka gjetur vdekjen nga asfiksimi. Zjarrfikësit thanë se Hoxha kishte tentuar të dilte nga kabina, pasi gjysma e trupit të tij është gjendur jashtë saj, por pa mundur të shpëtojë. 52-vjeçari, para se të punonte roje, ka shërbyer në forcat e policisë për rreth 25 vite. Trupi i tij është dërguar me makinë për në morgun e qytetit.