E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi i energjisë, gati privatizimi gjatë 2009-s

23/01/2009  Ministri Ruli: Vitet e fundit në sektorin energjetik janë investuar 5 miliardë euro

Do të përgatiten urdhrat për llogaritjen e paketave të aksioneve për punonjësit

Qeveria parashikon të privatizojë sektorin e prodhimit të energjisë gjatë vitit 2009. Aktualisht Qeveria është në përfundim të negociatave për nënshkrimin e kontratës së privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, me kompaninë private CEZ. “Gjatë vitit 2009 do të punohet për përgatitjen e strategjisë së privatizimit të sektorit të prodhimit të energjisë elektrike. Në zbatim të rekomandimeve të kësaj strategjie gjatë periudhës 2009-2011 do të nisë procesi i privatizimit të sektorit të gjenerimit të energjisë elektrike, që përbën edhe fazën përmbyllëse të procesit të privatizimeve në këtë sektor strategjik”, - theksohet në programin afatmesëm të Qeverisë. Gjatë vitit 2009 do të punohet për të përgatitur edhe urdhrat përkatës për fillimin e procedurave të llogaritjes së paketave të aksioneve për punonjësit dhe pronarët. Njëkohësisht do të punohet edhe për procedurat e privatizimit të pjesës së mbetur të aksioneve. Ndërkaq, sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë viteve të fundit, në sektorin energjetik janë investuar rreth 5 miliardë euro. Sipas tij, falë këtyre investimeve është bërë e mundur shkëputja historike nga emergjencat kronike të furnizimit të popullatës me energji elektrike. “Investimet e kontraktuara në formën e kontratave të lidhura tashmë nga Qeveria në sektorin energjetik arrijnë të shënojnë një kapacitet të projektuar prej rreth 3 mijë megavat dhe vlera e investimeve të shtrira në vite është rreth 5 miliardë euro”, - theksoi dje ministri Ruli. Pas vënies në funksionim të TEC-it të Vlorës dhe linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Elbasan-Podgoricë do të përmirësohet ndjeshëm prodhimi i energjisë në vend. Nga TEC-i i Vlorës pritet të prodhohen rreth 97 megavat orë energji. Punimet për këtë TEC kanë nisur më 1 shtator 2007 dhe do të përfundojnë në mes të këtij viti. Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 92 milionë eurove dhe që është financuar nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këto masa të marra dhe me reformën e suksesshme të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, sipas kreut të Energjetikës, u bë e mundur arritja e objektivave të vendosur, ku kryesori është furnizimi pa ndërprerje me energji elektrike i vendit. Investimet në rrjetin elektrik kanë bërë që niveli i humbjeve të ulet, duke arritur aktualisht në rreth 28 për qind.

Koncesionet

Rreth 160 projekt-propozime janë paraqitur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për marrje me koncesion të akseve të ndryshme hidrike. Burime pranë këtij dikasteri bëjnë të ditur se deri më tani janë miratuar 30 kontrata koncesioni, projekte të cilat do të ofrojnë një fuqi të instaluar prej 130 MW, një prodhim mesatar të energjisë elektrike prej 731 663 megavat, përkundrejt një investimi prej 19 miliardë lekësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›