Eagle Mobile, feston dy vjetorin me 630 mijë anëtarët e saj
Eagle Mobile, me 630 mijë anëtarët e kësaj familje të madhe në të gjithë vendin, ka festuar dje dy vjetorin e hyrjes në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Vetëm në 24 muaj kompania më rinore e telefonisë celulare në Shqipëri solli konkurrencën, theu monopolet dhe ofroi shërbimet më bashkëkohore me tarifat më të arsyeshme. Eagle, pjesë e grupit Çalik, investoi më shumë se 50 milionë euro në ngritjen e infrastrukturës teknike, rrjetit të gjerë të dyqaneve, punësimit të ekspertëve më të mirë në fusha të ndryshme dhe krijimin e një marke shqiptare. Të gjithë abonentët e kompanisë Eagle kanë marrë dje disa dhurata, ndër të cilat më e rëndësishme është surpriza më e madhe për abonentët Eagle dhe gjithë artdashësit shqiptarë, që është koncerti festiv me rastin e 2 vjetorit. Të gjithë janë të ftuar në Ditën e Verës për t’u argëtuar me këngëtarët më të mirë të Top Fest 7, Juliana Pasha etj. Eagle i fton të gjithë artdashësit më 14 Mars, ora 15:00 në Sheshin “Nënë Tereza” të festojmë së bashku. Në ceremoninë e zhvilluar, drejtori i Përgjithshëm, Ali Taskin tha se “Number Portability”, pra mbartja e numrit dhe teknologjia 3G janë projektet më të rëndësishme që duhet të zbatohen nga autoritetet përkatëse. Taskin tha se ky do të jetë viti i një konkurrence të madhe, risive dhe surprizave, ku Eagle do të vazhdojë të sjellë fjalën më të fundit të teknologjisë, shanset më të mira të komunikimit dhe shërbimet e ofertat më të mira për konsumatorin shqiptar.
13 Mars 2010