Rrëshqitjet, inxhinierët gjeologë japin alarmin: “40 % e tokës, e rrezikshme”
Jonida Tashi
Më pak se gjysma e territorit në vendin tonë rrezikohet nga rrëshqitjet e dherave. Alarmi është dhënë dje nga inxhinierët gjeologë të Institutit të Gjeoshkencës, të cilat kanë bërë të ditur se 40 për qind e sipërfaqes së tokës në vend është në rrezik nga rrëshqitjet e dherave. Sipas inxhinierit, Ylber Muçeku, studimet e fundit gjeologjike kanë paralajmëruar rrezikun e rrëshqitjeve, por problem mbetet mosmarrja parasysh e këtyre alarmeve nga ana e pushtetit lokal.
Zonat
“E kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se nga veriu në jug të vendit, kodrat dhe shpatet mbi të cilat pas viteve ’90 është ndërtuar, paraqesin rrezikshmëri pasi gjatë këtyre viteve njeriu përmes veprimtarisë së tij ka dëmtuar rëndë këto formacione gjeologjike. Kodrat e jugut të cilat nisin nga Durrësi e përfundojnë në Sarandë dhe zonat e veriut që përfshijnë Burrelin, Shkodrën janë të gjitha në rrezik prej rrëshqitjeve. Problem mbetet mungesa e masave për mirëmbajtjen e këtyre zonave, të njohura si të rrezikshme nga erozioni”,- thotë gjeologu Muçeku. Gjithashtu, sipas specialistëve, situata paraqitet më e rëndë në disa zona urbane dhe pothuajse në të gjitha zonat rurale të vendit. Kjo, për shkak se ndërtuesit nuk marrin parasysh studimet gjeologjike.
Masat
Për t’i paraprirë rrezikut të rrëshqitjeve, fenomen që s’ka më ndalje, gjeologët kërkojnë zbatimin e masave të nevojshme që nga pyllëzimi i shpateve dhe mirëmbajtja e tyre e deri te ndalimi i ndërtimeve të reja në formacionet gjeologjike të njohura si të rrezikshme. Specialistët shpjegojnë se rasti tipik i shembjes së pallatit në Gjirokastër tregoi se ndonëse studimi gjeologjik paralajmëroi rrezikshmërinë prej shpatit në të cilin ishte ngritur godina, firma ndërtuese nuk bëri asgjë për t’i paraprirë tragjedisë. Sipas tyre, edhe rrëshqitjet e dherave në lagjen e Currilave në Durrës janë shembull tipik i neglizhencës së ndërtuesve, pasi gjeologët thonë se kjo zonë njihet për rrezikshmërinë nga rrëshqitjet e tokës, por duket se këtë nuk po e kuptojnë bizneset e ndërtimit.
Reshjet fryjnë Drinin, KESH-i hap portat e Fierzës
Pjesa e Nënshkodrës rrezikon të përmbytet për herë të tretë brenda një harku kohor dymujor. Reshjet e shumta në veri të vendit, si dhe shkrija e dëborës, ndikuar edhe nga liqeni i Ohrit, kanë risjellë rrezikun për tri hidrocentralet kryesore në vend. Duke parë situatën e krijuar nga prurjet e shumta, KESH-i ka vendosur hapjen e portave edhe në HEC-in e Fierzës. Deri dje të hapura ishin vetëm portat shkarkuese në hidrocentralin e Vaut të Dejës, duke shkarkuar rreth 300 metër kub ujë në sekondë. Sa i takon HEC-it të Fierzës, më të madhit në vend, niveli i prurjeve regjistroi dje nivelin e 500 metrave kub ujë në sekondë, duke e çuar liqenin në kuotën e 293.75 metra mbi nivelin e detit, ose rreth 2 metra mbi pikën kritike. Në Koman prurjet janë 110 metër kub ujë në sekondë, kurse liqeni ka prekur nivelin e 171.66 metrave mbi nivelin e detit (175 maksimalja). Pak më keq paraqitet situata në Vaun e Dejës, i cili arrin në 75.19 metra mbi nivelin e detit, me prurje 20 metër kub ujë në sekondë dhe derdhje nga portat në masën 300 metër kub ujë. Për momentin në zonat e banuara pranë lumit Buna në Shkodër nuk ka rritje të nivelit të ujit. Megjithatë, korrespodenti i “Shqip” evidenton faktin se është rritur disi niveli i lumit Buna, ndërsa autoritetet vendore po monitorojnë me kujdes situatën për të ndërhyrë në kohë. Në rast përmbytje, për banorët e zonës përreth Shkodrës do të ishte hera e tretë brenda një harku kohor të shkurtër, ndërsa qeverisë do t’i duhet të llogarisë nga e para dëmet. Aktualisht KESH-i po prodhon me kapacitet të plotë, afër 29 milionë kilovat energji, ndërsa konsumi është rreth 22 milionë kilovat, pjesa e mbetur shitet ose depozitohet. Vetëm për muajin mars, KESH ka të garantuar fitimin e 16 milionë eurove nga kontratat e lidhura për eksportin e energjisë elektrike. Jo pak ndikim në situatën e krijuar në veri jep liqeni i Ohrit, i cili derdhet në pjesën e Maqedonisë. Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë bërë që niveli i ujit të liqenit të Ohrit të kalojë 25 centimetra mbi kuotën maksimale të lejuar, duke përbërë një rrezik përmbytjesh për banorët e fshatrave të Strugës dhe të qytetit të vjetër të Ohrit. Rritja e nivelit të ujit ka detyruar qeverinë maqedonase të mbajë hapur portat, nga të cilat shkarkohet 62 metër kub ujë në sekondë në Drin. Një situatë që reflektohet më pas në kaskadën e Drinit, në Shqipëri.
Bashkia e Tiranës shton sipërfaqen e gjelbër në periferi
Bashkia e Tiranës ka vijuar turin e saj për gjelbërimin e periferisë së kryeqytetit. Kësaj radhe Ndërmarrja e Punëtorëve ka mbjellë rreth 400 pemë të llojit rrap në të dy anët e rrugës (segmenti nga kthesa e Kamzës deri tek Instituti Bujqësor, pjesë e Njësisë nr.11), duke gjelbëruar kështu një tjetër aks periferik të Tiranës. “Ndërkohë, mbjellja do të vazhdojë edhe në segmente të tjera, duke forcuar përmasën e gjelbër të kryeqytetit njëkohësisht ta bëjnë Tiranën të marrë frymë sa më lirisht”,- shpreh Rama. Sipas këtij të fundit, një nga objektivat që synohet të arrihet përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet është rivitalizimi mjedisor i qendrave urbane. Kryebashkiaku e ka vijuar më tej fjalën e tij, duke thënë se krahas rrugëve të rikonstruktuara, infrastrukturës së përmirësuar, puna dhe politikat e Bashkisë për gjelbërimin e kryeqytetit, për një Tiranë edhe më të pastër e të gjelbëruar, dhe si rrjedhojë një metropol të vërtetë të standardeve dhe vlerave europiane do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
13 Mars 2010