"Eagle Mobile", fillojnë telefonatat e para me 067
Ervin Koçi
Kompania më e re e telefonisë celulare në vend, “Eagle Mobile”, ka njoftuar dje me sukses realizimin e telefonatës së parë. Lajmi është bërë publik dje me anë të një komunikate zyrtare të kompanisë. Telefonata u realizua gjatë testimit të provave teknike që po aplikon kompania deri në momentin zyrtar të ofrimit të shërbimit më 13 mars 2008. Burimet zyrtare të kompanisë njoftuan se, “Eagle Mobile” sjell në Shqipëri sistemin më të fundit të teknologjisë celulare të faturimit të thirrjeve në celular, mesazheve të shkurtra (SMS) dhe internetit dhe padyshim e bën sistemin më të sigurt dhe të besueshëm. Kjo do të ndikojë në transparencën e faturimit të trafikut telefonik që do të bëjnë përdoruesit e “Eagle Mobile” në të gjithë vendin. Burimet brenda kompanisë pohojnë se aktualisht janë duke u vendosur antenat në zonën Tiranë-Durrës, ku fillimisht pritet të ofrohen shërbimet celulare në prefiksin “067” dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Kompania e tretë celulare në vend, me privatizimin e ‘Albtelekomit’, i kaloi shoqërisë së telekomunikacionit “CETEL”, e cila është pjesë e grupit Calik Holding. Tashmë 76 për qind të aksioneve i zotëron konsorciumi i përbërë nga Grupi CALIK dhe Turk Telekom. Ndërsa 80 për qind të aksioneve brenda konsorciumit të quajtur me emrin e ri CT Telekom zotërohen nga CETEL dhe 20 për qind nga Telekomi turk.
Teknologjia e fundit
"Eagle Mobile" ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me "Amdocs", kompaninë e dytë më të madhe në botë, që përgatit sistemet e përllogaritjes dhe faturimit të thirrjeve telefonike. Kontrata u firmos në Barcelonë (Spanjë) nga drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin, si dhe zëvendëspresidenti i "Amdocs", Charles Born, gjatë Kongresit Botëror dhe Panairit të GSM (operatorëve celularë) që u zhvillua mes datave 11-14 shkurt 2008. Sipas marrëveshjes, "Eagle Mobile" sjell në Shqipëri sistemin më të fundit të teknologjisë celulare të faturimit të thirrjeve në celular, mesazheve të shkurtra (SMS) dhe internetit dhe pa dyshim e bën sistemin më të sigurt dhe të besueshëm. "Shërbimet e "Amdocs" na japin mundësi të larmishme operacionale dhe shpejtësinë që dëshirojmë për të ndërtuar, ofruar dhe menaxhuar shërbime të reja, për të përmbushur në kohën reale detyrimet që kemi ndaj klientëve", - thotë Ali Taskin, drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile".
Marrëveshja
Marrëveshja e bashkëpunimit me "Amdocs" është e dyta më e madhe e nënshkruar nga "Eagle Mobile", pas asaj me kompaninë ndërkombëtare "Huawei Technologies", e cila ka sjellë për operatorin më të ri të telefonisë celulare në Shqipëri teknologjinë më të re të centraleve dhe shpërndarjes së sinjalit. Ky sistem është gati për teknologjinë 3G, (third generation) ose ndryshe gjenerata e tretë dhe më bashkëkohorja. Ndërsa "Amdocs" është një kompani gjigante amerikano-izraelite me qendër në Misuri të SHBA-së, e shtrirë që nga India, në Izrael, Turqi, Republikën Çeke, Irlandë, Brazil, SHBA, etj. Ajo ka një personel prej 17.500 punonjësish. Kjo kompani ka bashkëpunim në këtë fushë me kompani lider në tregun e telekomunikimit në botë si AT&T, T-Mobile, Sprint- Nextel, Sensis, etj.
18 Shkurt 2008