E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH-ja zbulon skemën e spastrimit të punonjësve të KESH-it

Në fillim u vendos shkarkimi i qindra punonjësve . Pak muaj më vonë, një numër më i madh punonjësish u pranua
Habjon Hasani
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka hedhur dritë lidhur me “spastrimet” në administratën e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare. “Për vitin 2005, numri mesatar i punonjësve është ulur me 162 punonjës”, - shkruhet në raport. Por një paragraf më larg zbulohet se një numër edhe më i madh punonjësish është pranuar dhe pajtuar në korporatë. “Për vitin 2006, numri mesatar i punonjësve është rritur në 202 punonjës, ndërsa fondi i pagave është ulur në 26 milionë lekë”, - shkruhet në raport. Sikundër është vërtetuar në “Albania”, viti 2006 ka shenjuar për korporatën një vit të mbushur me prokurime antiligjore dhe humbje të mëdha. Po në këtë vit, KESH-i e kishte të pamundur të shmangte kufizimet me energji, të cilat kapnin shifra rekord. Duket se drejtuesit e KESH-it e kanë kryer të gjithë këtë aktivitet të ”pashqetësuar” nga strukturat e auditit. Ky fakt vërtetohet dhe në konkluzionet e raportit të KLSH-së, ku ekspertët kanë vërejtur se audituesit e Ministrisë së Financave kanë kërkuar penalizime të lehta edhe pse shkeljet kanë qenë të përmasave të konsiderueshme. Kaq arbitrare është mbrojtja që Auditi u ka bërë këtyre drejtuesve, saqë hartuesit e KLSH-së kanë vendosur të tërheqin vëmendjen duke bërë një paragraf special vetëm për këtë problem. ”Në përfundim duhet të theksojmë se me gjithë punën e Departamentit të Auditimit konstatohen përpjekje për identifikimin dhe trajtimin e risqeve më të larta në veprimtarinë ekonomiko-financiare të KESH sh.a, por rezultatet në parandalimin dhe eliminimin e faktorëve që ndikojnë në veprimin e këtyre risqeve janë në nivele të ulëta. Kjo ka ardhur edhe për faktin se nuk ka përputhje ndërmjet shkallës së zbulimeve nga auditimet dhe dhënies së rekomandimeve, masave disiplinore, administrative e penale sipas përgjegjësive”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.
Tenderat
Në inspektimin e KLSH-së është zbuluar edhe një tjetër mënyrë abuzimi, e cila nuk lidhet me rritjen e çmimit, por me uljen e sasisë së energjisë së importuar, duke sjellë sërish dëm financiar. ”Sasia e lëvruar e energjisë elektrike nga kompania “Montmontaza” nuk është sipas kontratës, por me diferencë në më pak se 6.720 MË//////////h. Enti prokurues nuk ka konfiskuar sigurimin e kontratës duke shkaktuar efekt financiar negativ me dëm ekonomik në vlerën 74.880 euro, veprim në kundërshtim me kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës dhe që ngarkon me përgjegjësi drejtorin e Prokurimeve, Sokol Spahiu, drejtorin e Drejtorisë Ekonomike, Eldar Kazo, administratorin e kontratës, Luan Aranitasi, si dhe kryetarin e Entit Prokurues, Andi Beli”, - nënvizon raporti i KLSH-së. Por duket se firma e sipërpërmendur nuk është e vetmja që ka depozituar më pak energji nga sa detyrohej. Ky lloj problemi është hasur edhe në një numër tjetër kontratash, ndërsa deri sot nuk rezulton që ndonjëra nga këto kompani të ketë ”kompensuar” dëmin që kanë shkaktuar te xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Blerja

Vendimi i qeverisë për blerjen e energjisë elektrike për të siguruar normalitetin e furnizimit që nga 1 prilli 2006 deri më 31 dhjetor 2006 është pasuar nga një proces tërësisht i pakontrolluar prokurimi. Konstatimi i KLSH-së është identik me kontrollin e ushtruar prej saj edhe në prokurimin e energjisë të blerë për vitin 2007, ndërsa ajo që ndryshon është vetëm shuma e prokurimit që për vitin 2006 ishte rreth 50 milionë euro. “Në këtë tender mungon regjistri i procedurave të prokurimit, veprim ky në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit, i cili ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave”, - konkludon KLSH-ja. Më tej, në raport vërehet edhe mungesa e inventarëve. “Dosja e tenderit është e painventarizuar, në kundërshtim me udhëzimin e Këshillit të Ministrave Nr.1, datë 01.01.1996, “Për Prokurimin Publik”, veprim që ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit”, - shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga ky konkluzion mund të thuhet se për dy vite me radhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka menaxhuar shuma marramendëse parash jashtë çdo lloj kriteri dhe në kundërshtim të hapur me ligjet në fuqi. Duket se drejtuesit e KESH-it e kanë kryer këtë aktivitet të ”pashqetësuar” nga strukturat e auditit.

Firma fantazmë, fituese të tenderave të energjisë

E gjithë skema e organizimit të tenderave nga KESH sh.a duket se ka qenë një “vënie në skenë”, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se një pjesë e firmave kishin arritur të paraqiteshin në tendera edhe pa qenë të regjistruara në gjykatë. Duket se në këto kushte vihet totalisht në dyshim procesi i administrimit të dhjetëra milionë eurove që sot rezultojnë të shpenzuara për blerje energjie. “Në disa dosje mungon dokumentacioni ligjor, i cili vërteton regjistrimin në gjykatë të kandidatëve pjesëmarrës në prokurim, veprimtarinë e tyre, seriozitetin dhe besueshmërinë, veprim në kundërshtim me Ligjin Nr. 7971, datë 01.01.1996, “Për prokurimin publik”, i cili ngarkon me përgjegjësi drejtoreshën e Prokurimit, Juliana Lamaj”, - thekson raporti i KLSH-së. Duke u përqendruar te këto prokurime, KLSH-ja ka saktësuar se në disa dosje titullari i entit prokurues nuk ka nxjerrë urdhërprokurimi, për rrjedhojë nuk është paracaktuar objekti i prokurimit, fondi limit, procedura e prokurimit dhe komisioni i vlerësimit të ofertave, që të gjitha veprime shumë të rënda, në kundërshtim flagrant me ligjin, për të cilat KLSH-ja mendon se ka përgjegjësi të plotë ish-drejtori Andi Beli, në cilësinë e kreut të entit prokurues.

Këshilli Mbikëqyrës ”hodhi në erë” financat e KESH-it

Nëse drejtorët kryesorë të Korporatës Elektroenergjetike kanë organizuar tendera pafund dhe abuzime shumëmiliardëshe, këtë e kanë bërë nën aprovimin e plotë të Këshillit Mbikëqyrës të kësaj korporate. Është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ai që ka zbuluar se krejt në kundërshtim me ligjin, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk e kanë vënë kurrë ”ujin në zjarr” ndonëse financat dhe gjendja e përgjithshme e Korporatës përjetonte momentet e saj më të vështira. Në kontrollin e aktivitetit të KESH-it për vitin 2006 (viti me humbjet më të mëdha) është zbuluar se edhe pse Këshilli Mbikëqyrës është mbledhur gjithsej 15 herë dhe ka marrë mbi 48 vendime, në asnjërën prej mbledhjeve nuk është diskutuar lidhur me përmirësimin e situatës ndërsa të gjitha vendimet nuk kanë patur si objektiv asnjë masë rregulluese për financat e korporatës. Nga raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mësohet se kryesisht vendimet kanë qenë të fokusuara në çështjet e ”blerjes së energjisë” duke neglizhuar në mënyrë absurde diskutimet dhe politikat për përmirësimin e gjendjes së korporatës dhe rishikimin e mundësive për mëkëmbjen e saj.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›