E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shqiptare, marrëveshje bashkëpunimi me turqit

TIRANË - Me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Turke, Ouz Kaan Köksal, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryekomisar Ahmet Prençi, zhvilloi me datat 12-15 shkurt një vizitë në Turqi. Gjatë takimit që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi më 13 shkurt me homologun turk, ai vlerësoi bashkëpunimin aktual mes dy policive. Kryekomisar Prençi e falënderoi homologun turk për ndihmën e vazhdueshme që policia turke ka dhënë për Policinë e Shtetit në fushën e trajnimeve dhe mbështetjes logjistike për sektorë të veçantë si dhe për edukimin cilësor dhe bashkëkohor që studentët shqiptarë marrin në Akademinë e Policisë Turke.
Që nga viti 1994 dhe deri tani kanë përfunduar këtë Akademi 85 studentë shqiptarë dhe vazhdojnë studimet aktualisht 25 të tjerë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bazuar në traditën shumë të mirë të bashkëpunimit të deritanishëm, propozoi që ai të forcohet edhe më tej në të ardhmen, duke u bërë më konkret në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Për këtë arsye, kryekomisar Prençi propozoi që palët të punojnë për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi policor, e cila në kushtet aktuale, përballë metodave të reja të krimit, do ta ngrejë në një nivel më të lartë bashkëpunimin aktual. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Turke, Ouz Kaan Köksal, pasi pranoi propozimin për hartimin e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm si shumë të mirë. Pala turke u shpreh e gatshme të asistojë Policinë e Shtetit me trajnime dhe mbështetje logjistike për sektorë të veçantë që operojnë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe antiterrorit.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›