Tentoi të kalojë përmes Rinasit, prangoset i shumëkërkuari
MIRDITË – Ka tentuar të kalojë përmes Rinasit drejt Italisë i shumëkërkuari, pasi kishte falsifikuar edhe dokumentin e identifikimit, por nuk ka arritur t’i shpëtojë filtrit policor në aeroportin ndërkombëtar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është vënë në pranga shtetasi Besnik Lekgega, i cili ishte shpallur në kërkim pas masës së dënimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë tre vjet më parë. Ai ishte shpallur fajtor për akuzën “vrasje me paramendim” dhe ishte dënuar me 20 vjet burg. Lekgega është munduar që nëpërmjet Aeroportit të Rinasit të kalojë drejt Italisë. Madje, burimet shtojnë se ai kishte falsifikuar edhe pasaportën, duke përdorur emrin Maksim Lekgega. Por agjentët e policisë së Mirditës kanë marrë informacionet paraprake dhe kanë vënë në dijeni edhe punonjësit e policisë së Rinasit, të cilët kanë bërë të mundur ndalimin e tij sapo i shumëkërkuari ka hyrë në zonën e rrethimit. Rreth 5 vjet më parë, ai ishte konfliktuar me bashkëfshatarin e tij Vlash Koka për vendin e parë në furgonin e linjës Rrëshen – Perlat dhe në grindje e sipër Besnik Lekgega ka nxjerrë një thikë që e mbante në brez dhe e ka qëlluar disa herë në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pas plagosjes, Besnik Lekgega është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar për momentin prangosjes. Vlash Koka është dërguar në Spitalin e Mirditës, ku nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve që kishte marrë në trup dhe ka gjetur vdekjen pas disa orësh. Që prej vitit 2003, policia e Mirditës e kishte shpallur person në kërkim Lekgegën, i cili ka qënduar i fshehur në male dhe në banesën e tij në fshatin Përlat i Epërm pa u kapur deri ditën e djeshme. Informacionet e ditëve të fundit dhe njëkohësisht edhe tentativa e Besnikut për t’u larguar nga Shqipëria, ka vënë në lëvizje policinë, e cila mbajti nën vëzhgim të shumëkërkuarin. Tashmë, shtetasi Besnik Lekgega është dërguar në Burgun e Shënkollit në Lezhë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga Drejtësia.
Kontrolli, prangoset shpërndarësi i heroinës
BERAT – Është mbajtur prej kohësh nën vëzhgim pasi dyshohej se shpërndante heroinë, por në kontrollin e ushtruar është kapur në flagrancë 30-vjeçari. Policia e Antidrogës së Komisariatit të Beratit nisi procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Klodian Hysi, lindur dhe banues në lagjen “Kushtrim” të qytetit të Beratit. Procedimi në ngarkim të Hysit filloi për arsye se rreth orës 19:00 të ditës së premte, në vendin e quajtur “Materniteti” në lagjen “Çlirim”, pas një kontrolli fizik të ushtruar nga agjentët e policisë, iu gjendën dhe iu sekuestruan 3 gr lëndë narkotike të llojit heroinë. Materialet për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve” i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
18 Shkurt 2008